Në pritje të kampionatit, Resuli jep garanci për merkaton: Kemi bërë përforcime, nuk jemi bllokuar nga FIFA

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2020 | 21:27

Në pritje të kampionatit, Resuli jep garanci për merkaton: Kemi bërë përforcime, nuk jemi bllokuar nga FIFA

Dritan Resuli është i qetë për merka ton, ai konfirmon se Flamurtari nuk ka asnjë problem. Për “Panorama Sport”, trajneri deklaron se FIFA nuk i ka bllokuar transferimet, madje janë në pritje që të bëjnë të tjera përforcime për sezonin 2020-2021.

flamurtari

“Nuk e kuptoj ku qëndron bllokimi i merkatos, kur ne përforcohemi. Deri tani na kanë ardhur 4 lojtarë të rinj në ekip si: Burak Menga, Alvi Ahmetaj, Stiven Puci dhe Tarik Çmajçanin. Këta futbollistë po stërviten me ekipin dhe janë aktivizuar edhe në miqësore. Nëse do të kishim probleme me regjistrimin e tyre, atëherë nuk kishim pse të hynim fare në bisedime. Jemi në pritje të disa elementëve të tjerë për ta përforcuar më shumë organikën për sezonin 2020-2021. Ju siguroj se Flamurtari nuk ka asnjë çështje që të lidhet me bllokim të merkatos”, u shpreh fillimisht numri një i stolit kuqezi.

KAMPIONATI – Trajneri pret që të nisë një orë e më parë edhe kampionati dhe më shqetësuese për të mbetet mungesa e një date zyrtare. Ai paralajmëron se kjo do të sjellë efektet e veta negative. “Na penalizon shumë mungesa e një date zyrtare, kur ende nuk dihet kur do të fillojë kampionati. Është shumë problematike, pasi lidhet me motivimin e ekipit. Ndryshojnë shumë gjërat kur lojtarët janë në aktivitet, edhe pse ne po përpiqemi t’i mbajmë në tonus në stërvitje dhe me ndeshje miqësore.

Them se tani e kemi më të plotë ekipin, pas afrimit të serbit Çmajçanin. Kemi më shumë alternativa. Ekipi ka ndryshuar shumë, repartet janë konsoliduar, ndërsa afrimet i kanë dhënë një frymë të re grupit. Kemi një ndërthurje mes lojtarëve të rinj dhe atyre që kanë eksperiencë. Uroj të vendoset sa më shpejt data kur do të nisë kampionati. Ne jemi gati për ta nisur sa më mbarë kampionatin dhe për të marrë rezultat pozitiv”, shprehet Resuli.

Flamurtari Resuli

TESTI – Flamurtari zhvilloi në fundjavë edhe një test brenda familjes. Skuadra e Dritan Resulit mati forcat me U-19 e kuqezinjve, e drejtuar prej Fjodor Xhafës. Trajnerët menduan që të luajnë këtë miqësore, që sigurisht i ka shërbyer më shumë ekipit të parë. Ekipi i madh e nisi ndeshjen me këtë formacion: Moçka, Ahmetaj, Qarri, Puci, Muçollari, Çmajçanin, Kreshpa, Oliviera, Aliaj, Ribaj, Mukoi.

Në pjesën e dytë u bënë shumë zëvendësime dhe trajneri Resuli disa lojtarë i kaloi tek 19-vjeçarët. U dha më shumë prioritet të rinjve dhe gjithçka u mbyll 3-2 për ekipin e parë. Golat për Flamurtarin u shënuan nga braziliani Oliveira, Ribaj dhe Puci, ndërsa për të rinjtë ishin Kadriaj me Dhrami. Më shumë se sa rezultati ky test shërbeu për shkëmbime pozicionesh dhe për t’i provuar të gjithë lojtarët.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"