Në prag të ndeshjes së parë “jetë a vdekje”, Gavi: Duam që Spanja të ndihet krenare për ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2022 | 20:07

Në prag të ndeshjes së parë “jetë a vdekje”, Gavi: Duam që Spanja të ndihet krenare për ne

Debutonte me Spanjën vitin e kaluar kur ishte vetëm 17 vjeç, por 365 ditë më pas Pablo Paez Gavira, ndryshe Gavi është kthyer në një simbol të kombëtares së Luis Enrikes. Në harkun e një viti, jeta e tij ka ndryshuar rrënjësisht, teksa kundër Kosta Rikës, në debutimin e tij në Botëror arriti të shpallej lojtari më i mirë i ndeshjes.

Gavi_vs_CR

Në prag të ndeshjes kundër Marokut e vlefshme për 1/8-at e finaleve, Gavi ka dhënë një intervistë për gazetën “Marca”, duke rrëfyer për aventurën e tij në Katar. Biseda nuk mund të fillonte askund tjetër përveç “tretjes” së disfatës ndaj Japonisë.

“Ne donim të fitonim, të ishim të parët. Trajneri në fakt na kishte paralajmëruar se ishte ndeshja më e vështirë dhe kështu ndodhi. Me kalimin e orëve filluam t’i shohim gjërat ndryshe. Jemi në 1/8-at e finaleve, ndërsa ka skuadra të mëdha që nuk kanë mundur të arrijnë këtu”, ka thënë ai.

Për Gavin është e qartë se Japonia duhet lënë pas, por jo gabimet e atij takimi.

“Ndeshja kundër Japonisë duhet të shërbejë si një mësim për atë që do të vijë. Për fat, ajo disfatë është zgjidhur dhe ne e kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë. Nuk do të humbasim fokusin te qëllimi final, që është titulli botëror. Do të ishte gabim të hiqnim dorë nga gjithçka që besojmë tani. Ne duhet të marrim parasysh gabimet, t’i korrigjojmë ato dhe të shkojmë në Kupën e Botës me më shumë bindje se kurrë”, tha ai.

Ndeshja e radhës për Spanjën është kundër Marokut. Një rival që nuk tremb me emrin, por me atë çfarë bëri në grup, duke lënë pas Kroacinë nënkampione e botës në fuqi dhe Belgjikën favorite.

“Pres një ndeshje shumë të vështirë. Nuk jemi më në fazën e grupeve dhe po flasim për kampionatin botëror. Ata janë një ekip i madh kolektivisht dhe individualisht”, ka arsyetuar Gavi.

Në fund Gavi ka saktësuar se ai dhe kombëtarja spanjolle do të bëjnë gjithçka që të bëjnë krenarë të gjithë spanjollët.

“Ne duam që Spanja të argëtohet nga ne, duam që spanjollët të ndihen krenarë për lojën tonë”.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"