Në prag të edicionit të ri/ Sektori i Arbitrimit në FSHF, seminar me arbitrat dhe asistentët e Kategorisë së Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2022 | 10:17

Në prag të edicionit të ri/ Sektori i Arbitrimit në FSHF, seminar me arbitrat dhe asistentët e Kategorisë së Dytë

Sektori i Arbitrimit në FSHF ka organizuar këtë fillimjavë seminarin e radhës, këtë herë me arbitrat e Kategorisë së Dytë në prag të edicionit të ri futbollistik 2022-2023.

seminari_arbitrat_kategoria_dyte_arjan_mali_1-1024x683

Ashtu si edhe me arbitrat e asistentët e kategorive të tjera, seminaret kanë konsistuar në testet fizike dhe teorinë, teksa u analizua performanca e tyre gjatë sezonit 2021-2022, problematikat e hasura gjatë ndeshjeve të kësaj kategorie dhe aspektet e punës së arbitrave që duhen përmirësuar.

Instruktori i arbitrave, Arjan Mali ka shpjeguar se arbitrat janë njohur me ndryshimet në rregullore dhe kanë testuar njohuritë e tyre në praktike me raste të diskutueshme përmes pamjeve video.

“Sektori i Arbitrimit është në vazhdimësi të seminareve të zhvilluara me arbitrat dhe asistentët, duke nisur me ato të kategorisë “Abissnet Superiore” e duke vazhduar me ato të Kategorisë së Parë dehe së fundmi po organizomë seminarin me arbitrat e Kategorisë së Dytë. Ky seminar ka për qëllim për të njohur arbitrat me të rejat e interpretimit të rregullores së lojës, që UEFA i dërgon çdo fillim sezoni. Një nga temat që u diskutua sot ishte rregulli 11 të ndryshuar, që ka të bëjë me pozicionin jashtë loje. Pra, kur një devijim i topit është i vullnetshëm dhe quhet pasim, apo është prekje e paqëllimshme. Pavarësisht se seminari u zhvillua sot, këto informacione u janë dërguar kolegjiumeve që në muajin qershor, që arbitrat të njihen mbi interpretimet e reja të rregullores. Duke marrë shkas edhe nga sezoni i kaluar, ku pikat më të nxehta kanë qenë rastet e prekjes së topit me dorë dhe protestat, arbitrat marrin informacionin e duhur për t’i zbatuar në praktikë në këtë sezon të ri. U urojmë arbitrave një sezon të mbarë dhe t’i zbatojnë sa më mirë rregulloret e t’i interpretojnë siç duhet në fushën e lojës”, – u shpreh Mali në një prononcim për Fshf.org.

Qëllimi kryesor i këtyre seminareve është përmirësimi i nivelit të arbitrimit shqiptar të të gjitha kategorive, teksa të gjithë arbitrat dhe asistentët do të kenë mundësi të zgjerojnë njohuritë e tyre dhe të mësojnë më tepër për ndryshimet e rregullave të lojës dhe të analizojnë momente konkrete gjatë një ndeshjeje me shembuj video.

Puna trajnuese që po bëhet përpara fillimit të sezonit ka si qëllim që të gjithë aktorët e lojës, arbitra, lojtarë, trajnerë dhe vëzhgues të kenë të njëjtat vlerësime për situatat që ndodhin gjatë një ndeshjeje.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"