Në Përmet mungojnë dushet, Delvina nuk pranon të luajë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2017 | 12:25

Në Përmet mungojnë dushet, Delvina nuk pranon të luajë

Ndeshja Përmeti – Delvina, e parashikuar të luhej dje, në orën 14:00 si të gjitha sfidat e tjera, nuk është zhvilluar. Shkak është bërë mungesa e dhomave të zhveshjes dhe dusheve. Në këtë mënyrë, ekipi mik nuk ka pranuar të luajë në të tilla kushte.

Delvina

Ekipi i Delvinës

Prej disa ditësh, dhomat e zhveshjes në stadiumin e Përmetit janë në rikonstruksion, ndërsa klubi vendas u ofroi miqve një dhomë provizore ose disa dhoma në hotelin afër stadiumit. Por delvinjotët nuk pranuan.

Delegati Agim Proda nga Saranda dhe vëzhguesi Agim Jançe nga Erseka komunikuan me drejtues të FSHF-së dhe u vendos që takimi të mos luhet dhe se do të vendoset në ditët e ardhshme një datë se kur do të zhvillohet.

Zëvendëstrajneri i Delvinës, Zani, u shpreh: “Na ofruan një dhomë të vogël ku mund të hynin vetëm disa lojtarë dhe jo të gjithë. Ishte e pamundur të bëheshim gati në të tilla kushte”.

Ndërsa klubi i Përmetit, në faqen e vet në “Facebook”, shkruante: “Bashkia Përmet së bashku me shoqatën ‘Cezvi’ në Përmet po investojnë së bashku për rikonstruksionin e dhomave të zhveshjeve. Në këtë mënyrë, i ofruam dhomat e hotelit afër stadiumit me kushtet maksimale, por Delvina nuk pranoi. Të merren masa për skuadrën mike nga ana e FSHF-së”.

Maliqi - Devolli 1

Çast përpara fillimit të sfidës Maliqi-Devolli dhe spektakli i tifozëve

Roland Suli

Spektakël në “derbi”, Maliqi shkatërron Devollin

Maliqi e ka kthyer në festë derbin e prefekturës ndaj Devollit. Djemtë e Egli Malësisë kanë shkatërruar me rezultatin 4-0 fqinjët e tyre në një ndeshje që i pati të gjitha, gola, spektakël, kartonë, lojë e ashpër, por edhe kontestime.

Ndeshja

Në një terren disi të rënduar dhe me shkallët e stadiumit të tejmbushura, ndeshja ka nisur me ritëm mjaft të lartë. Vendësit e Maliqit dukeshin qartë që në minutat e para të lojës që nuk mund ta humbisnin për asnjë arsye këtë takim. Megjithatë, goli që zhbllokoi sfidën erdhi vetëm në minutën e fundit të pjesës së parë me autor bomberin e ardhur në merkaton e janarit, Alatin Ametlli. Me avantazhin e Maliqit ekipet shkojnë në dhomat e zhveshjes.

Maliqi - Devolli 2

Në pjesën e dytë ka nisur edhe spektakli i vërtetë. Është sërish Ametlli që realizon edhe dy gola të tjerë në minutat 75 dhe 79 duke u konfirmuar edhe si lojtari i ndeshjes si dhe duke ngritur peshë qindra tifozë të ardhur në shkallët e stadiumit. Me një Ametlli në superformë, Devolli dukej i dorëzuar. Për të vulosur fitoren e thellë ka menduar i riu Haruni, i cili me një të djathtë të bukur nga jashtë shënoi një gol mjaft të bukur duke fiksuar përfundimisht shifrat në 4-0.

Nga ana tjetër, miqtë e Devollit janë parë të revoltuar dhe aspak të qetë. Ketë e tregon mjaft mirë edhe ndëshkimi me karton të kuq i Hysollit dhe Demirit. Maliqi merr një fitore të madhe duke kënaqur tifozët dhe duke u afruar më shumë me objektivin sezonal: vendin e tretë në klasifikim. Nga ana tjetër, Devolli mbetet në vendet e fundit.

ENEA PRENJASI

Maliqi - Devolli

Thyhet Orikumi, Tepelena e mund për pesë minuta

Thyhet Orikumi. Tepelena u shkakton humbjen e parë në kampionat bregdetarëve duke i larguar edhe më shumë nga synimi që ata kanë për të kapur vendin e parë. Një sfidë ku vendësit e kanë arritur fitoren që në 5 minutat e para. Fillimisht, në të 3-ën është Kazma me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone kalon Tepelenën në avantazh. Dy minuta më pas, dyfishon mesfushori Kalaj duke përfituar edhe nga gabimi i portierit mik. Miqtë ngushtojnë diferencën në pjesën e dytë me Lazajn. Orikumi këmbëngul, por mbrojtja vendëse me në krye Karamanin është e pakalueshme.

Roland Suli

TEPELENA 2 – 1 ORIKUMI
Tepelena - Orikumi

Skrapari mbetet në fund, Këlcyra e befason

Skrapari zhgënjen në fushën e tij përballë Këlcyrës, e cila konfirmon pretendimet e saj për vendin e tretë. Ndeshja ishte interesante ku vendësit kërkuan me insistim fitoren për t’u shkëputur nga vendi i fundit, por nuk ia arritën qëllimit. Në minutën e 20-të shënon Gogo, por goli është anuluar për pozicion jashtë loje. Një vendim që është kontestuar nga vendësit. Në minutën e 34-t ka një gabim të mbrojtjes vendëse dhe është Sadikaj që shënon me qetësi. Edhe pse kishin shumë minuta në dispozicion, skraparllinjtë nuk arritën të shmangnin humbjen.

Arben Çepani

SKRAPARI 0 – 1 KËLCYRA
Skrapari - Kelcyra

Domosdova i falet Toçkës, Gramozi mbetet i rrezikuar

Ka mjaftuar goli i Toçkës për prrenjsakët që kanë arritur fitoren e dytë radhazi në shtëpi pas asaj me Devollin. Edhe pse rastet ishin të shumta për vendësit, goli i vetëm që vlen edhe tri pikë ishte ai i Toçkës, i cili u tregua vendimtar për ekipin e tij. Që në fillim të lojës u duk se takimi do ishte i vakët pasi miqtë nga Erseka kishin ardhur vetëm për 1 pikë dhe mbroheshin me kujdes. Pjesën e parë ia arritën qëllimit, ndërsa në të dytën Toç- ka u tregua më shumë se dinak duke rrëmbyer një top dhe duke shkundur rrjetën e mbrojtur nga Jaçe.

DOMOSDOVA 1 – 0 GRAMOZI
Domosdova - Gramozi

Ledion Qoshku

Kat. II B

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"