Në orbitën e gjyqtarëve… Dikush t’i dalë për zot këtij degradimi, askush nuk mban përgjegjësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2018 | 21:00

Në orbitën e gjyqtarëve… Dikush t’i dalë për zot këtij degradimi, askush nuk mban përgjegjësi

Kush është fenome ni i fundit që po vihet re në futbollin shqiptar dhe që po haset gjithnjë e më shpesh sa herë zbresin në fushë skuadrat e Kategorisë Superiore, por jo vetëm…? Janë pikërisht ata, gjyqtarët e futbollit shqiptar ose më saktë arbitrat, të cilët jo vetëm që gabojnë në mënyrë të dyshimtë, por çuditërisht ndaj tyre merren gjithnjë e më pak masa. Tashmë në Superiore dhe në Kategorinë e Parë është bërë e zakonshme që arbitrat të vendosin fatet e ndeshjeve, por edhe më kaq, pra, të një sezoni të tërë me vendimet e tyre. Rasti i fundit më flagrant, por jo i vetmi, ishte ai i Kridens Metës në Laçi-Flamurtari 4- 2.

Flamurtari gjyqtaret

Gjyqtari i kolegjiumit të Tiranës, i ndihmuar nga anë- sori Ergin Doda, vulosi fatet e takimit që në 23 minutat e para, duke akorduar një penallti qesharake dhe lejuar të shënohet një gol i dukshëm në pozicion jashtë në favor të skuadrës vendëse. Këtu nuk bëhet fjalë për vetëm një individ, arbitër apo rast të izoluar, por bëhet fjalë për një sistem të tërë të kalbur, që disa ekipe i shikon si të nënës dhe i favorizon hapur duke përdorur gjyqtarët, ndërsa të tjerë i godet pa mëshirë javë pas jave. Alarmin për arbitrat e dha vetë presidenti i FSHFsë, Armand Duka, në edicionin e kaluar, kur bëri shembull dy ish-arbitra të FIFA-s si Lorenc Jemini dhe Andi Koçi. Më pas u investua për një periudhë edhe në Akademinë e Arbitrimit, duke e reklamuar me të madhe për një erë të re ndryshimi në sektorin e gjykimit.

Mirëpo, fakt është se nga ajo periudhë dhe deri më tani kanë kaluar vetëm pak muaj dhe sërish protagonistë negativë të kampionatit janë të njëjtët emra: Jorgji, Meta, Koçi, Hamiti, Sokoli, Ziri, Alla e shumë të tjerë. Pa dyshim që shumica e tyre kanë cilësi të jashtëzakonshme, por problemi është nëse i përdorin gjithmonë sipas standardeve që duhen apo i përdorin sipas tekave të tyre në fushën e lojës. Po të shikoni sesi funksionon sektori i gjykimit në FSHF viti pas viti, jo vetëm që nuk ndryshojnë arbitrat, por as eprorët e tyre. Kjo nis që nga kryetari i Shoqatës për të vazhduar tek ata që caktojnë arbitrat javë pas jave dhe ata që i vlerësojnë.

Flamurtari gjyqtaret

Janë të njëjtit personazhe, që nuk kanë marrë kurrë përsipër përgjegjësi, duke degraduar një sektor të tërë që, edhe pse paragjykohet shumë, sërish nuk ka bërë asgjë për të dalë nga kjo vorbull ku është futur. Natyrshëm lind pyetja, që në gjithë këtë orbitë të errët të gjyqtarëve sot, a ndryshon diçka? Tahir Kastrati dhe Petrit Brahja, që mbajnë përgjegjësinë më të madhe në këtë “orbitë”, më shumë janë fshehur se sa i kanë dalë për zot asaj që duhet të bëjnë. Me krenari, FSHF thotë se arbitrat shqiptarë janë ndër më të paguarit në rajon. Ky është fakt, por në kohën që pagesat janë rritur, standardi është ulur. Ka ardhur koha që dikush t’i dalë për zot këtij fenomeni që po kthehet në gangrenë, duke cenuar rëndë integritetin e garës dhe e kthyer atë në të pabesueshme.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"