“Ne nuk bëjmë aleanca”, Rrapaj i bindur për trepikëshin ndaj Luftëtarit: Koha për të marrë… fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2020 | 19:26

“Ne nuk bëjmë aleanca”, Rrapaj i bindur për trepikëshin ndaj Luftëtarit: Koha për të marrë… fitore

Arinaldo Rrapaj mendon se ka ardhur koha që me Luftëtarin të shijohet fitorja e parë në Vlorë për këtë sezon dhe e dyta në total, që si për ironi mund të ndodhë pikërisht ndaj të njëjtit ekip.

rrapaj

Në një intervistë për “Panorama Sport”, talenti vlonjat thekson se kundërshtarët kanë përfituar nga mungesa e përqendrimit dhe gabimet e Flamurtarit. Sipas Rrapajt, edhe gjyqtarët disa herë kanë gabuar në dëm të vlonjatëve.

Rrapaj, mendoni se ka ardhur koha që në ndeshjen me Luftëtarin të merret fitorja e munguar në Vlorë?

Patjetër. Jam i bindur se me Luftëtarin do të vijë edhe fitorja. Do të mundohemi për një lojë të mirë dhe për të marrë nga ky takim tri pikët. Situata në ekip është pozitive. Të gjithë e dinë që duhet të japin maksimumin në këtë takim dhe ta fitojnë atë. Janë të gjitha mundësitë që të marrim pikët e plota në këtë përballje. Në ekip kemi elementë cilësorë që e zgjidhin mjaft mirë një ndeshje dhe them se ka ardhur momenti që këtë sfidë ta fitojmë.

Bëtë një ndeshje të mirë me Partizanin, por nuk arritët të merrnit pikë. Çfarë nuk shkon në 20-30 minutat e fundit të ndeshjeve?

Për mua rezultati më i drejtë do të ishte barazimi ndaj Partizanit, pasi kishim disa raste për të shënuar. Mendoj se mospërqendrimi në disa momente na kushton shumë.

Këto kanë bërë që kundërshtarët të përfitojnë duke shënuar gol. Kemi një ekip të ri dhe kjo ndikon, por edhe gjykimi ka rëndësinë e vet në përcaktimin e fatit të një sfide. Shpresoj thjesht të kenë gabuar dhe nuk dua të mendoj se i kanë bërë qëllimisht për të na dëmtuar.

Besoni se do të luani ndershëm deri në fund?

Ne nuk bëjmë aleanca me asnjë ekip. Ne shikojmë punën tonë. Do të vazhdojmë deri në fund të kampionatit me përkushtim, edhe pse kemi dalë nga objektivat.

Keni menduar për të ardhmen?

Ka kohë për të folur për këtë çështje. Të mbyllim sezonin njëherë.

Ermal Sika – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"