Në Lushnjë ofendohet Duka, arbitri ndërpret takimin. Sefa: Ishte provokim i gjyqtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2018 | 16:38

Në Lushnjë ofendohet Duka, arbitri ndërpret takimin. Sefa: Ishte provokim i gjyqtarit

Në çastet e fundit të shtesës katër minutëshe, gjyqtari Kridens Meta i ka kërkuar kapitenit Fatjon Sefa, që tifozët e Lushnjës të pjesës juglindore të ndalojnë ofendimet në kor. Në këtë sektor, ku zakonisht qëndron grupimi “Delegatët”, tifozët janë irrituar, teksa kanë lënë shkallët e stadiumit me thirrje ofenduese në kor ndaj presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Kapiteni i lushnjarëve ka shkuar duke përplasur duart në këtë sektor të tifozëve.

lushnja

Ndërsa pas ndeshjes për “Panorama Sport”, Sefa ka sqaruar atë çfarë i kërkoi gjyqtari Meta, i cili në fakt edhe ai u ofendua në kor, por ndeshjen e ndërpreu vetëm kur u dëgjua emri i Dukës. “Thjesht m’u duk si një provokim i gjyqtarit Meta kur gjithçka ishte normale. Ishte me dashje nga gjyqtari dhe i deleguari i Federatës. Dua t’i bëj thirrje të mos tallen me publikun lushnjar, sepse meriton notën 10. Gjatë 90 minutave nuk krijuan asnjë lloj problemi, asnjë incident. Vetëm brohoritje në favor të skuadrës sonë. Ata kanë skuadrën e tyre të zemrës, por ishte një provokim i gjyqtarit që i çoi tifozët në atë rebelim.

Nuk kishte asgjë që të dukej jashtë normave. Këta tifozë nuk e meritojnë këtë ndëshkim që po marrin nga java në javë. Na ndëshkojnë neve si lojtarë, ndëshkojnë qytetin e Lushnjës, që meriton pak më shumë vëmendje. Sepse po duket që po e rrëzojnë me dashje. Gjithsesi, i falënderoj të gjithë çunat për shpirtin e garës që dhanë. Mbi të gjitha, ky është futbolli. Duhet ta pranojmë barazimin”, ka deklaruar pas ndeshjes kapiteni Sefa.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"