Në Lushnjë ende nuk ka mbërritur tapeti i ri për stadiumin, faza e parë në “emigrim”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2017 | 15:17

Në Lushnjë ende nuk ka mbërritur tapeti i ri për stadiumin, faza e parë në “emigrim”

Në stadiumin “Roza Haxhiu” ka një muaj që punohet (17 korrik-17 gusht), që impianti lushnjar të plotësojë kushtet e vendosura nga sektori i licencimeve për Kategorinë Superiore. Kriteret e kërkuara e kanë detyruar Bashkinë e Lushnjës të bëjë një investim prej 60 milionë lekësh (të vjetër) të miratuar nga Këshilli Bashkiak. Prej 30 ditësh, në “Roza Haxhiu” është punuar me ritme relativisht të kënaqshme.

lushnja

Kështu, është hequr tapeti ekzistues dhe është vendosur pas dy portave. Ndërkohë, po nivelohet terreni dhe po përgatitet për vendosjen e tapetit të ri. Vijojnë punimet në ambientet e brendshme të tribunës qendrore të stadiumit “Roza Haxhiu”. Struktura e brendshme do të pësojë disa ndryshime. Ndërkaq, ende nuk ka nisur puna në pjesën e jashtme të tribunës, që ka nevojë të plotësohet me ndenjëse plastike për tifozët.

Edhe në pjesën e shkallëve ende nuk ka nisur ndërhyrja. Gjithashtu, pritet të ketë ndërhyrje edhe në rrethimin e brendshme dhe në portat hyrëse, përfshi portën e emergjencës. Siç dihet, stadiumi “Roza Haxhiu” është shumë i amortizuar. Impianti lushnjar është ndërtuar në vitet ’61-’66, në tri faza, për pesë vite me radhë dhe është nga më të vjetrit në vendin tonë.

Duke qenë se punimet nisën me shumë vonesë (duhet të kishin nisur në maj), Lushnja rrezikon të luajë ndeshjet e fazës së parë jashtë fushës së saj. Në “Roza Haxhiu” nuk ka mbërritur ende tapeti i ri, që është edhe investimi më i rëndësishëm dhe që kërkon kohë për t’u vënë në përdorim në kushte loje.

EKIPI

Prej një jave, lushnjarët ndodhen në qytetin e Pogradecit, ku po zhvillojnë fazën përgatitore. Verdhëjeshilët zhvillojnë dy seanca stërvitore në ditë, paradite dhe pasdite. Ndërkohë, drejtuesit janë duke menduar për gjetjen e kundërshtarëve që të zhvillojë edhe disa miqësore të tjera gjatë përgatitjeve në Pogradec. Gjatë përgatitjeve verore, Lushnja ka zhvilluar vetëm dy takime miqësore, ku në fillim kanë barazuar 0-0 me Laçin dhe më pas kanë humbur me Leçen 4-0, takim i cili u luajt në Itali.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"