Në lojë 1 miliard dollarë, Mejuedhër dhe MekGregor janë pranë akordit për një tjetër ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2022 | 20:44

Në lojë 1 miliard dollarë, Mejuedhër dhe MekGregor janë pranë akordit për një tjetër ndeshje

Fllojd Mejuedhër dhe Konor MekGregor janë shumë pranë një akordi të bujshëm për një duel të dytë mes tyre, një sfidë që do të sjellë në llogaritë e të dyve qindra miliona dollarë. Sipas “The Sun”, boksieri amerikan është gati të vërë përsëri në lojës karrierën e tij si i pathyeshëm, duke e cilësuar kthim zyrtar në ring.

mejuedhwr mekgregor

Persona që janë në dijeni të negociatave kanë bërë të ditur për tabloidin britanik se janë gjetur akordet personale sa i përket shumave që do të përfitohen nga të dy, por nuk ka ende një marrëveshje rreth numrit të raundeve që do të ketë kjo ndeshje, pasi MekGregor kërkon 10 raunde.

Dueli pritet të vlerësohet për peshën 155 paund (rreth 70 kg), që do të thotë se irlandezi duhet të bjerë në peshë në këtë periudhë kur po rikuperon ende nga fraktura në këmbë. “Konor do të pranojë ndeshjen vetëm nëse Fllojd do të vendosë në lojë rekordin e tij si profesionist, pra nuk do të jetë një ekzibicion por një duel zyrtar”, shpjeguan burime për “The Sun”. “Do të jetë hera e fundit që Fllojd ngjitet në një ring ndaj nuk është për t’u humbur. Ai e sheh si fundi i epokës së tij dhe fillimi i asaj të Gervonta Devis. Ai beson se do të jetë nata më e madhe që ka parë boksi”.

Mendohet se në këtë marrëveshje, Konor MekGregor do të përfitojë shumë më tepër se 150 milionë dollarë, me Mejuedhër që gjithsesi do të ketë pjesën më të madhe të fitimeve nga një ndeshje që pritet t’i afrohet shumës së 1 miliard dollarëve si shpërblim në një duel që do të zhvillohet në Lindjen e Mesme. Paratë janë shtysa e duhur që 45-vjeçari të bëjë këtë kthim zyrtar në ring, nga ku u tërhoq pikërisht pasi mundi në vitin 2017 MeGregor duke vulosur karrierën e tij në 50 fitore dhe 0 humbje. Që atëherë, ai ka zhvilluar vetëm ndeshje ekzibicioni.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"