“Në Laç na penalizoi kartoni i kuq”, Ribaj do pikë ndaj Bylisit, gati të qëndrojë në Vlorë edhe në të Parën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2020 | 22:38

“Në Laç na penalizoi kartoni i kuq”, Ribaj do pikë ndaj Bylisit, gati të qëndrojë në Vlorë edhe në të Parën

Andi Ribaj qëndron te Flamurtari edhe në Kategorinë e Parë, nëse gjërat në Vlorë do të ndryshojnë. E ndërsa kohët e fundit flitet për një ofertë nga Qipro, fieraku thotë se nuk ka pasur asnjë kontakt.

RIBAJ

Në një intervistë për “Panorama Sport” Ribaj thotë se me Laçin mund të merrej një rezultat pozitiv, por ndikoi kartoni i kuq ndaj brazilianit Oliveira. Edhe ndeshjen me Bylisin e shikon të vështirë, por kapiteni kërkon lojë të bukur dhe pikë. Sipas Ribajt, deri në fund Flamurtari do të respektojë fanellën dhe nuk do t’i hapë rrugë asnjë ekipi.

Flamurtari në Laç bëri lojë dinjitoze. Pse nuk morët më shumë?

Ne po luajmë mirë prej disa ndeshjesh. Vazhdimësinë e tyre e kemi bërë edhe ndaj Laçit. E gjithë situata u komplikua në momentin që lojtari ynë doli me karton të kuq në minutën e 20- të. Pastaj u bë pak e vështirë. Pavarësisht faktit se bëmë mirë në atë takim, nuk arritëm që të merrnim një rezultat pozitiv. Megjithatë më kënaq loja e ekipit, angazhimi dhe përkushtimi i të gjithë skuadrës. Shoh frymë pozitive dhe këmbëngulje te çdo lojtar për të dhënë më të mirën për Flamurtarin.

Cungu tha se Flamurtari u kujtua të luajë pas 700 javësh. Keni koment?

Për trajnerin Cungu unë kam respekt. Secili ka mendimin e tij dhe nuk më takon mua që ta komentoj.

Mendoni se gjatë këtij sezoni ju kanë dëmtuar arbitrat?

Duhet që të dimë një gjë: arbitrat edhe gabojnë, se njerëz si ne janë, ndaj nuk mund t’u vëmë fajin arbitrave për çdo gjë. Neve na mbetet që të bëjmë sa më mirë në fushën e lojës.

Çfarë prisni nga ndeshja me Bylisin?

Do të jetë një ndeshje e fortë, sepse Bylisi ka ekip shumë të mirë. Unë shpresoj që të bëjmë ndeshje shumë të mirë, dhe pse jo, të marrim edhe pikë. Ne jemi një ekip me elementë të rinj, por që kanë dëshirën dhe vullnetin për të bërë mirë. Do të futemi në fushë për të marrë rezultat pozitiv, si dhe për të bërë edhe lojë të bukur.

Do të qëndroni te Flamurtari edhe në Kategorinë e Parë?

Në qoftë se gjërat do të rregullohen, pse jo, patjetër që do të qëndroj. Unë kam kaluar shumë mirë këtu në Vlorë. Është një ambient super i mirë. E përsëris që nëse gjërat do të ndryshojnë, do të qëndroj te Flamurtari edhe në Kategorinë e Parë për të dhënë ndihmesën dhe kontributin tim me qëllim që ky klub me traditë dhe emër të madh të rikthehet sa më shpejt në elitën e futbollit shqiptar.

Flitet se keni marrë një ofertë nga Qipro: si qëndron e vërteta?

Unë jam i fokusuar në ndeshjet e kampionatit dhe dua të bëj sa më mirë për Flamurtarin. Deri tani nuk më ka kontaktuar njeri.

E. Sika – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"