“Në Kupë, durrsakët u eliminuan se mungoi agresiviteti dhe gaboi Jorgji”, Teuta do revansh në Korçë, Begeja: Këtë herë s’falim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2021 | 9:43

“Në Kupë, durrsakët u eliminuan se mungoi agresiviteti dhe gaboi Jorgji”, Teuta do revansh në Korçë, Begeja: Këtë herë s’falim

Edhe pse nuk është pjesë e trajningut në Kategorinë Superiore, Gentian Begeja ndihet pranë Teutës në çdo moment, pasi prej muajsh drejton edhe ekipin U-21 të klubit durrsak. Sa herë është thirrur në apel nga drejtuesit për të marrë ekipin e parë, Begeja ka thënë gjithnjë “po”. Në prag të një ndeshjeje delikate në kampionat si ajo kundër Skënderbeut dhe për më tepër që klubi durrsak ka vendosur heshtje për shtyp, ish-sulmuesi, foli për “Panorama Sport”. Ai është i bindur se pavarësisht eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, Teuta do ta fitojë titullin këtë sezon, duke përsëritur suksesin historik të vitit 1994, ku Begeja ka qenë vetë në fushë dhe ka shkruar emrin si kampion.

begeja

Genti, Teuta si fituesja në fuqi e Kupës u eliminua nga Skënderbeu në gjysmëfinale. Çfarë nuk shkoi sipas jush?

Mendoj se mungoi agresiviteti dhe reagimi i skuadrës në fazën sulmuese. Pas golit të parë, ekipi duhet të kishte bërë më mirë, por nuk reagoi si duhet. Megjithatë, më duhet ta them se penalltia nuk ishte në atë situatë dhe gjyqtari Jorgji gaboi.

Si e shpjegoni faktin që skuadra u bë nervoze dhe nuk e kërkoi me qetësi golin për ta rihapur takimin pasi rezultati shkoi 0-2?

Sigurisht që duhet të ishte më e qetë, por dhe më e qartë në manovrën sulmuese. Skënderbeu ishte i vendosur në fushë me skemën 5-3-2 dhe Teuta duhet të krijonte superioritet në mesin e fushës. Më pas në 20-30 metrat e fundit ekipi duhet t’i zgjidhte situatat me pasimin vertikal dhe të ishte më efikas në lojën një kundër një.

Teuta kryeson kampionatin dhe kërkon titullin pas 27 vitesh. Si e keni parë skuadrën deri më tani?

Deri në këto javë të kampionatit, Teuta është me meritë në vend të parë. Unë jam i bindur se deri në fund do të mbajë këtë ritëm dhe besoj se do të shpallet kampione. Ky grup futbollistësh është vazhdim i sezonit të kaluar, ku u ruajt grupi dhe tashmë skuadra ka stabilitet. Është momenti i duhur që titulli kampion të kthehet në Durrës.

Të dielën luani sërish kundër Skënderbeut. Si e parashikoni këtë takim?

Kam bindjen e plotë se për kampionat skuadra do të tregojë tjetër paraqitje dhe do të marrë fitoren për të vazhduar ecurinë pozitive dhe pse jo të shkëputet nga ndjekësit. Duhet t’u tregojë edhe rivalëve se me meritë është lider i kampionatit.

Cili lojtar ju ka bërë më tepër përshtypje këtë sezon?

E kam thënë dhe në deklaratat e kaluara, se me shumë se individi, është grupi dhe Teuta ka një ekip fantastik, ku së pari janë djem dhe lojtarë të mirë, pa harruar dhe punën e përkushtimin e stafit teknik, e gjithashtu mbështetjen e pakursyer të drejtuesve të klubit.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"