Në Kukës pas 5 vitesh / Starti me kampionët në stadiumin e ri, Pejiç e di si mundet Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2022 | 22:22

Në Kukës pas 5 vitesh / Starti me kampionët në stadiumin e ri, Pejiç e di si mundet Tirana

Kukësi nis nesër aven turën për të 11-ën herë në elitën e futbollit shqiptar, teksa sfidon kampionët në fuqi të Tiranës. Verilindorët do të tentojnë të ruajnë pathyeshmërinë në ndeshjen hapëse që luajnë në shtëpinë e tyre, pasi në pesë raste nuk janë mundur asnjëherë.

Pejic-Shameti

Një motiv ekstra për t’u bërë presion bardhebluve, të cilët nga ana tjetër duan gjithashtu ta nisin me këmbën e mbarë ruajtjen e kurorës së titullit.

Sa u përket kuksianëve, synimi i vetëm është marrja e tri pikëve, pasi në këtë kamp e konsiderojnë si të rëndësishëm edhe aspektin moral, çka do t’u jepte më shumë besim për vazhdimësinë. Për herë të fundit në një ndeshje të vlefshme për Kategorinë Superiore në stadiumin “Zeqir Ymeri”, Kukësi ka mundur Tiranën plot pesë vite më parë, pikërisht më 23.04.2017 me shifrat 4-1.

Pero Pejiç bënte dopietë, ndërsa nga një gol realizonin Izair Emini dhe Zhan Karioka. Në atë sezon Kukësi shpallej kampion, ndërsa Tirana binte për herë të parë nga kategoria.

Përpara se stadiumi të mbyllej për t’iu nënshtruar rikonstruksionit, verilindorët kanë marrë edhe një tjetër fitore ndaj bardhebluve, por këtë herë për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë më 14 shkurt 2018, teksa ndeshja u mbyll 1-0 me golin e Sindrit Gurit.

ARMA PLUS – Në Kukës mund të jetë një minus jo i vogël fakti që kanë bërë shumë lëvizje dhe në javët e para skuadra mund të çedojë, por nga ana tjetër kanë një armë plus: tifozët. Rikthimi në “Kukës Arena” ka ngjallur interesimin e tifozërisë kuksiane, e cila në sfidën hapëse me bardheblutë pritet të jetë e shumtë në numër.

Edhe çmimet simbolike të biletave të vëna në dispozicion nga ana e klubit, synojnë pikërisht këtë gjë, përkrahjen sa më të gjerë të sportdashësve.

Në të kaluarën, sidomos në dy edicionet e fundit, luajtja jashtë shtëpisë ka pasur një ndikim jo të vogël te skuadra, e cila në fund nuk ia ka dalë të sigurojë as objektivin minimal në dy vitet e fundit, siç është Europa.

Kukesi stadiumi

NJË VIT NDRYSHE – Edhe pse çdo sezon Kukësi është një ndër ato skuadra që synon me çdo kusht maksimumin, ky vit duket se i gjen ndryshe, jo sa u përket objektivave, por në lidhje me projektin.

Ndryshimi thuajse total i skuadrës ka nisur për të vënë në jetë një projekt të ri me Skënder Gegën, i cili mesa duket synon të sjellë më shumë freski dhe patjetër rezultate.

Synimi tani nuk është më vetëm fitimi i ndonjë trofeu dhe shkuarja në Europë, por është përtej kësaj.

Për këtë arsye, në klub janë treguar të kujdesshëm që të “blindojnë” futbollistët e afruar me kontrata dy-trevjeçare, me shpresën se do të sjellin të ardhura nga shitja e tyre, siç ka ndodhur së fundmi me Patrik Ezenë sezonin e kaluar dhe Vitor Feizhaon këtë vit.

Të paktën, dy lojtarë në fund të këtij edicioni shpresojnë që t’i evidentojnë për të “peshkuar” ekipet nga jashtë vendit me buxhet më të madh, në mënyrë që të rrisin të ardhurat e tyre.

Në njëfarë mënyre, në Kukës kanë filluar të mendojnë ndryshe, por mbetet për t’u parë se sa ky projekt ambicioz do të vihet në jetë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"