Në Korçë nisin llogaritë e mbijetesës, Mara: Fitorja në Fier ishte përcaktuese, do të japim gjithçka për të arritur tek sukseset

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2021 | 19:50

Në Korçë nisin llogaritë e mbijetesës, Mara: Fitorja në Fier ishte përcaktuese, do të japim gjithçka për të arritur tek sukseset

Kampionati për Skënderbeun ka hyrë në një fazë të nxehtë, atje ku çdo ndeshje vlen sa një finale dhe mund të ndikojë në mbijetesën e korçarëve apo në rënien një kategori më poshtë të tyre. Në kushte të tilla, duket se fitorja në Fier përballë Apolonisë solli korçarët në një tjetër situatë tashmë, atje ku kanë lënë pas bardhejeshilët dhe po ndjekin nga pas ballshiotët për garën e një vendi në “play off”. Pavarësisht diferencës, ku momentalisht Bylisi është 6 pikë para Skënderbeut, bardhekuqtë e shohin veten të favorizuar nga kalendari, pasi edhe ndeshjet direkte i ka në avantazh.

Skenderbeu Kacanolli

Nëse u referohemi pikërisht këtyre takimeve, mund të themi se ndeshjet e radhës vlejnë sa i gjithë sezoni për Skënderbeun. Bardhekuqtë fillimisht luajnë në Kukës me ekipin e Josës që duket se u ka thënë lamtumirë Kupave të Europës për këtë sezon duke qenë të demotivuar si ekip, gjë që u pa edhe në Ballsh. Më pas kanë dy takime shtëpie, me Tiranën dhe Teutën, nga të cilat pikët janë të domosdoshme për të mbajtur të ndezur garën për mbijetesë. Pas tyre vjen transferta me Vllazninë dhe në fund të katër javëve të ardhshme është takimi direkt me Bylisin. Ndeshje në të cilën bardhekuqtë duan të shkojnë me një diferencë pikësh jo më shumë se tri pikë larg. Kjo, për të pasur në dorë vetë fatet e sezonit dhe për të shfrytëzuar ndeshjet direkte me ballshiotët, ku Skënderbeu e sheh veten në avantazh. Pak a shumë këto janë llogaritë që bëhen në kampin korçar, që shpreson fort për sigurimin e mbijetesës, edhe pse pozitat ku ndodhen bëjnë që ky objektiv të duket i vështirë.

Uerdi Mara

MARA – Mbijetesa nuk është e pamundur për maliqarin, që është rikthyer të mbulojë një pozicion të rëndësishëm në skuadrën e drejtuar nga Memelli. Për Uerdi Marën, fitorja në Fier ishte vendimtare dhe mjaft e rëndësishme për korçarët që mundën të linin pas një kundërshtar direkt. Mara i shikon si përcaktuese ndeshjet e radhës, prandaj, sipas tij, Skënderbeu duhet të shfrytëzojë jo vetëm momentin e mirë që po kalon, por edhe faktin që nga 5 ndeshjet e radhës, 3 i luan në shtëpi, përfshi edhe përballjen direkte me Bylisin. “Fitorja në Fier ishte përcaktuese për fatin e sezonit. Ajo fitore na jep shumë shtysë për të ardhmen dhe është një motivim më shumë për ne. Duhet të vazhdojmë me këtë besim dhe motiv që na është krijuar nga kjo situatë. Të përpiqemi ta shfrytëzojmë për mirë duke nisur nga ndeshja e radhës. Normalisht, në takimet e mbetura impenjimi do të jetë maksimal. Luajmë disa finale, por për ne besoj se janë tejet përcaktuese pesë ndeshjet e radhës, sidomos takimi direkt që do të luajmë në Korçë përballë Bylisit. Jemi gati për të dhënë gjithçka dhe për të marrë sa më shumë pikë të jetë e mundur”, u shpreh Uerdi Mara për “Panorama Sport”.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"