“Në këtë 90-minutësh vendoset kush ngjitet në elitë”, trajneri i Korabit: Luajmë sezonin, pres gjykim të drejtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2021 | 10:31

“Në këtë 90-minutësh vendoset kush ngjitet në elitë”, trajneri i Korabit: Luajmë sezonin, pres gjykim të drejtë

Korabi ka gati “kurthin”. Dinamo është kandidatja më potenciale për t’u ngjitur në elitë, por situata mund të përmbyset pikërisht sot. Nëse dibranët i mundin, vjen edhe rokada në kreun e Grupit A. Skuadra i ka marrë që të gjitha masat për ta kaluar me sukses këtë 90-minutësh. Prej një jave po stërviten në “Skënder Halili” dhe kjo e ka një shkak: ata duan që të përshtaten me terrenin.

CANAJ

Kryendeshja do të zhvillohet në “Selman Stërmasi”, ndaj edhe janë kushtëzuar që të stërviten në fushë me bar natyral. Porositë kanë qenë të vazhdueshme dhe taktika ka marrë pjesën dërrmuese të seancave. Trajneri pret një ekip të kujdesshëm në prapavijë dhe mbi të gjitha një sulm të frikshëm.

Është punuar edhe me shënjestrën, për të korrigjuar disi finalizimin. Agim Canaj e ka të qartë se trepikëshi vjen duke shënuar, megjithatë një merak para kësaj sfide e ka. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, numri një i pankinës dibrane shprehet i kënaqur me gjendjen e grupit. Beson te forca e ekipit që drejton, ndonëse nuk i kursen elozhet për kundërshtarin.

“E kemi vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje, e cila do të përcaktojë se cili ekip do të jetë pretendent kryesor për t’u ngjitur direkt dhe kush do ta tentojë me anë të ndeshjeve shtesë. Brenda një kohe të shkurtër jemi përballur dy herë me Dinamon, pasi e tillë është formula e kampionatit. Por, nesër (sot) ne do të hyjmë në fushë vetëm për pikët. Edhe pse do të luajmë ndaj një kundërshtari të vështirë, jemi gati. Kemi punuar sistematikisht në aspektin teknik dhe atë fizik.

Grupi do të jetë i plotë dhe kjo më jep qetësi, pasi mund të zgjedh lojtarë më në gjendje. Shpresojmë të dalim me një rezultat pozitiv dhe të luhet një futboll i drejtë dhe i pastër. Por, që kjo të realizohet, edhe gjykimi duhet të jetë”, përfundoi tekniku vlonjat i Korabit.

d

FATMIR ZHUZHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"