Në kërkim të historisë së sportit shqiptar, Briken Calja nis përgatitjet për Tokion: Ju premtoj medalje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2021 | 0:26

Në kërkim të historisë së sportit shqiptar, Briken Calja nis përgatitjet për Tokion: Ju premtoj medalje

Peshëngritësi Briken Calja së bashku me atleten Luiza Gega janë aktualisht të vetmit sportistë shqiptarë që janë brenda normës së kualifikimit për në Lojërat Olimpike. Shtangisti shtërmenas, i cili vjen nga dy medalje të fituara vetëm disa javë më parë ne Europian, tregon për “Panorama Sport” se nga dita e djeshme ka filluar përgatitjet për Olimpiadën.

briken calja

“Sot (dje) kam filluar zyrtarisht fazën përgatitore për Lojërat Olimpike, edhe pse unë, në fakt, kam një vit e gjysmë që stërvitem dhe mendoj për këtë aktivitet”, shprehet Calja. 31- vjeçari rikthehet të komentojë premtimin e dhënë, ku ka deklaruar se do t’i sjellë Shqipërisë medaljen e parë olimpike në histori:

“Pa diskutim që i qëndroj premtimit që kam dhënë dhe nuk tërhiqem në asnjë moment. Pavarësisht dëmtimeve që kam pasur, unë ia kam dalë që të sjell në mënyrë të vazhdueshme medalje. Të mos harrojmë se në Kampionatin Europian që u zhvillua në Moskë, isha i dëmtuar, ku jo më larg se tri ditë para garave kisha shqetësime me stomakun, ndërsa më pas pata probleme me shpatullën. Pra, një sërë dëmtimesh vetëm tri ditë para garës.

Por, edhe pse me dhimbje të tmerrshme, unë ia dola që të jem fitimtar, duke i dhuruar Shqipërisë dy medalje: një argjendi në stilin e shtytjes dhe një bronzi në dygarësh. Pra, edhe në ato kushte unë regjistrova rezultate shumë të mira. Kështu që, shpresoj të jem në formën më të mirë në Olimpiadë dhe aty të bëj historinë duke u futur në zonën e medaljeve, që do të ishte edhe arritja më e madhe e Shqipërisë në një kompeticion të tillë.

Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë, pasi konkurrenca është shumë e fortë, por unë jam i përgatitur për ta përmbushur me sukses misionin tim”, deklaroi Calja. Në fund rekordmeni i shtangës e mbyll prononcimin e tij me një thirrje për vëmendje nga të gjitha institucionet në prag të një eventi madhor siç janë Lojërat Olimpike: “Shpresoj që të kem mbështetjen e duhur nga institucionet, duke nisur që nga federata, klubi, Komiteti Olimpik dhe Ministria e Sporteve, pasi janë muaj shumë të rëndësishme për sportin shqiptar”, u shpreh Briken Calja.

ARTIN LLESHAJ –  PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"