“Në Kategorinë e Dytë do shkojnë!”, Daja ngatërron stolin, FSHF bën “bllokadë” në tribunë. Ja pikantet e Partizani-Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2021 | 23:40

“Në Kategorinë e Dytë do shkojnë!”, Daja ngatërron stolin, FSHF bën “bllokadë” në tribunë. Ja pikantet e Partizani-Skënderbeu

Takimi mes Partizanit dhe Skënderbeut pati një rezultat befasues, me miqtë që triumfuan me rezultatin 0-1, si dhe disa të veçanta nga tribuna e “Elbasan Arenës”. “Panorama Sport” iu sjell të gjitha pikantet e këtij takimi.

partizani

– Federata Shqiptare e Futbollit jep urdhër të prerë që të respektohen rregullat e numrit të pranishmëve në stadium dhe të mos lejohet kalimi i limitit. Kjo, nisur nga situata që shpeshherë janë thyer këto rregulla dhe tribunat janë mbushur.

– Në momentin që ndihmësi i Dajës, Pollozhani, po hynte me ekipin në fushë për të bërë nxehjen para ndeshjes, nga drejtuesit e stadiumit i bëhet një kërkesë me mirësjellje: “Ju lutem, ushtrimet e forcës mundohuni mos i bëni në fushë, në mënyrë që të mos e prishim”. Pollozhani ia kthen: “Edhe këtë herë në fushë, herën tjetër më pas jashtë saj”. Gjithsesi, të kuqtë i bënë ushtrimet e forcës jashtë perimetrit të fushës, ndërsa Skënderbeu në fushë.

– Djemtë e Kryqit të Kuq përfitojnë nga rasti për të bërë një foto me portierin e Partizanit, Alban Hoxha, në momentin kur po futej në dhomat e zhveshjes pas përfundimit të nxehmjes.

– 10 minuta para se të startonte sfida, hapet impianti i ujit për të njomur fushën, pasi mesa duket ishte paksa me e thatë se ç’duhej.

– Djemtë e vegjël që kapin topat, dhurojnë “shou” me xhonglimet para se të niste loja dhe gjatë pushimit të pjesës së parë.

– Fillimisht, shefi i klubit korçar, Ilirjan Përmeti, ngatërron pankinën dhe afrohet tek ajo e Partizanit. Më pas, është radha e Dajës të ngatërrohet dhe për pak ulet në vendin e Memellit, por në fund e kupton dhe shkon tek pankina e Partizanit. Moment që e kaloi me një buzëqeshje, edhe pas ngacmimeve të marra.

Partizani tribuna

– Edhe në këtë ndeshje, të kuqve nuk u mungoi mbështetja e ultrasve, pasi këta nuk munguan në “tribunën” e tyre në tarracën e një pallati. Ndërkohë, edhe në bokset e stadiumit gjatë gjithë ndeshjes u vendosën ovacione të ultrasve të kuq.

– Në pjesën e dytë, lojtarët e Skënderbeut nisën duke vonuar lojën dhe në këtë moment një tifoz i kuq, i irrituar, ia beh: “Le ta vonojnë lojën sa të duan, se në Kategorinë e Dytë do të shkojnë”.

– Sapo kalojnë 10 minuta nga pjesa e dytë duke parë që dielli po perëndonte, në stadium ndizen projektorët.

– Në fund të takimit, trajneri i Skënderbeut Memelli futet në fushë dhe i përqafon të gjithë futbollistët, edhe ata të Partizanit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"