Në grupet e Ligës së Konferencës, Ilir Daja synon të përsëritë Skënderbeun me Ballkanin: Nuk jemi këtu për të kaluar radhën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2022 | 19:02

Në grupet e Ligës së Konferencës, Ilir Daja synon të përsëritë Skënderbeun me Ballkanin: Nuk jemi këtu për të kaluar radhën

Skuadra e Ballkanit bëhet gati për debutimin në fazën në grupe të një kompeticioni ndërkombëtar dhe për të shkruar historinë e futbollit kosovar. Ekipi i drejtuar nga Ilir Daja debuton nesër ndaj CFR Kluzh në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës dhe kjo është një mundësi e mirë për të treguar vlerat e kampionëve në fuqi të Kosovës, të cilët kanë siguruar një arritje historike që në praninë e tyre të parë në Europë.

daja konference

Vetë trajneri Ilir Daja është shfaqur entuziast për këtë sfidë të re, por ka premtuar se përtej emocioneve të pjesëmarrjes së parë, ekipi ishte i fokusuar që të arrinte edhe rezultate në arenën më të rëndësishme europiane, siç bëri disa vite më parë Skënderbeu në Ligën e Europës duke luajtur si i barabartë ndaj rivalëve.

“Jemi krenar që përfaqësojmë futbollin e Kosovës, kemi më shumë përgjegjësi. Natyrshëm që skuadrat e tjera në këtë fazë janë më favoritë se Ballkani prej eksperiencës, por ne do të provojmë t’ia dalim dhe do të masim forcat së pari me një skuadër si CFR Kluzh. Shpresojmë që nesër të kemi motivimin që të arrijmë maksimumin.

Nesër kemi mungesën e Kuç, kapitenit, i cili është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, duke ditur grintën e tij, por besoj se do mundohemi ta mbulojmë mungesën e tij. Pjesa tjetër e skuadrës është e gjitha në dispozicion.

Jemi në ndeshjen e parë të kësaj faze nesër dhe nuk mund ta dimë se çfarë do mund të marrim pas gjashtë takimeve. Rëndësi ka që stadiumi të jetë plot, është mbështetje të kesh atë që është lojtari i 12. Sigurisht që ne nuk jemi favoritë, por duhet të japim maksimumin, pasi në dy javë ekipi është shumë i ngarkuar, por duhet t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës. Gjithsesi nuk do shkojmë për të kaluar radhën, por do shkojmë për të masur forcën me ekipe shumë të forta”, ishin fjalët e Dajës në konferencën para sfidës që luhet nesër në orën 18:45 në Prishtinë.

LIGA E KONFERENCËS

GRUPI A: Bashakshehir, Fiorentina, Harts, RFS.

GRUPI B: Uest Hem, FCSB, Anderleht, Silkeborg.

GRUPI C: Vijareal, Hapoel Ber-Sheva, Austria Vien, Leç Poznan.

GRUPI D: Partizan Beograd, Këln, Nis, Slovacko.

GRUPI E: AZ Alkmar, Apollon, Vaduz, Dnipro-1.

GRUPI F: Gent, Molde, Shamrok, Djurgardens.

GRUPI G: Slavia e Pragës, Kluzh, Sivaspor, Ballkani.

GRUPI H: Bazel, Slovan Bratislava, Zalgiris, Pjunik.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"