Në gol pas 6 vitesh, Dibala-Morata dyshja e shpresës bardhezi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2021 | 17:53

Në gol pas 6 vitesh, Dibala-Morata dyshja e shpresës bardhezi

Dibala dhe Morata, dy artistët që duhet të tërheqin me çdo kusht Juventusin. Po, pikërisht kështu, sepse dyshja e cila u rikthye që të shënonte në të njëjtën ndeshje pas 6 vitesh (hera e fundit në 4 tetor 2015 kundër Bolonjës, fitore 3-1 e bardhezinjve), janë lojtarët te të cilët tifozët bardhezi, por sidomos trajneri Masimiliao Alegri dhe të gjithë drejtuesit e lartë të klubit kishin varur shpresat për të zëvendësuar golat e të larguarit të madh, Kristiano Ronaldo, ashtu sikurse ata që duhet t’i dalin për zot emergjencës aktuale, duke parë edhe dëmtimin e Federiko Kiezës, deri në fund të festave.

dibala

DY HERË NË GOL – Ajo kundër Salernitanës ishte ndeshja e dytë në të cilën Paulo Dibala dhe Alvaro Morata shënonin së bashku, duke menduar edhe dy aventurat e sulmuesit spanjoll në Torino. E para për Alvaron ishte mes viteve 2014-2016, por me Dibalën që firmosi dhe iu bashkua Juves vetëm në sezonin 2015-2016, pas të cilit Morata vendosi të rikthehej te Reali.

Ndërkohë vjet, Paulo ishte më shumë në infermieri sesa në fushën e lojës dhe të dy së bashku, në rastet që patën nuk arritën të festojnë asnjëherë një gol secili brenda 90 minutave, ndonëse kthesa e mundshme dhe shpresa e madhe erdhi në Salerno.

Themi shpresë, pasi numrat e bashkëjetesës së dy sulmuesve me gjak latin në radhët e “Zonjës së Vjetër” nuk është se janë ekzaltues. Dhe pse jo, ndaj Salernitanës shpresohet që përveç lojës pozitive që solli ndryshimi taktik (nga 4-4-2 në 4-2-3-1), të nisin të përmirësohen edhe numrat e secilit prej argjentinasit dhe spanjollit.

NUMRAT E PAULOS – Ta nisim me Dibalën: Në vitet që ai ka qenë përkrah Moratës në Torino, e thënë ndryshe në sezonin 2015-2016, argjentinasi ka numëruar 19 gola në Serinë A, 2 në Kupën e Italisë, 1 në Champions dhe 1 në finalen e Superkupës së Italisë (23 në total në 46 prezenca), për të ardhur në uljen drastike të dy sezoneve të fundit.

Në të vjetshmin (2020-2021), Paulo Dibala e mbylli vitin me 5 gola (4 në kampionat dhe 1 në Champions), ndërsa sivjet numëron 7 gola plus tri asiste pas 14 prezencave (4 në Serinë A kundër Udinezes, Sampdorias, Interi dhe Salernitanës dhe 3 në Champions)

NUMRAT E ALVAROS – Ndërkohë, për Moratën numrat janë: 12 gola në 47 ndeshje në sezonin 2015-2016 (7 realizime në Serinë A, 3 në Kupën e Italisë dhe 2 në Champions). Në sezonin 2020-2021, 20 gola në 44 ndeshje (11 në Serinë A, 2 në Kupën e Italisë, 6 në Champions dhe 1 në Superkupën e Italisë), ndërsa sivjet numrat thonë: 3 gola kundër Napolit, Milanit e Salernitanës plus një asist në Serinë A për spanjollin si dhe 2 në Champions.

Pra, cili është objektivi pas sinjaleve pozitive në Salerno? Hapi i radhës, konsolidimit të kësaj dysheje që golin e ka në gjak, por tani duhet të nisë ta transmetojë më shumë në fushë dhe pse jo, të dielën kundër Xhenoas është nata e duhur për të kuptuar nëse vërtet Dibala e Morata kanë sintoninë që nevojitet për të tërhequr Juven nga balta aktuale.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"