Në gjurmët e Uzunit, kapiteni i U-19 pret “shpërthimin” me Tomorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2018 | 17:39

Në gjurmët e Uzunit, kapiteni i U-19 pret “shpërthimin” me Tomorin

Tomori, në sezonet e fundit të luajtura në kategoritë inferiore, është mburrur me elementët e talentuar që ka prodhuar. Sigurisht, tashmë emri simbolizues është bërë Myrto Uzuni, që ia doli të bëhet edhe pjesë e Kombëtares. Emri më i ri i talentuar i kësaj shkolle është Sali Kumani. Mesfushori 18-vjeçar është kapiteni i skuadrës Tomori U-19, por edhe pjesë e ekipit të madh dhe provën e parë e bëri në miqësoren ndaj Albpetrolit.

tomori19-770x470

“Sili” si e thërrasin shokët dallon për driblimet, asistet dhe punën që bën në mesin e fushës dhe shumë presin që është radha e tij për të bërë hapin e madh. Në një bisedë për “Panorama Sport”, Kumani flet nga Kategoria Superiore që po provon me moshat deri te skuadra e parë. “Sezoni i shkuar ishte fantastik dhe mendoj kemi bërë një arritje të rëndësishme për futbollin e moshave në Berat. Ishte puna e trajnerit tonë, Droboniku dhe grupi i mirë që u krijua me shumë elemente të talentuar që solli suksesin.

Por, kjo duhet të jetë një detyrim për Beratin që ashtu, si për skuadrën e parë edhe për moshat duhet të luajë në elitë gjithmonë. Këtë vit po vuajmë ndryshimet që na kanë ndodhur në skuadër, pasi disa elementë të rëndësishëm na janë larguar, por edhe koeficienti i vështirësisë është më i lartë. Pavarësisht kësaj, ne po punojmë që në vazhdimin e sezonit të tregojmë një tjetër fytyrë për të siguruar qëndrimin në këtë kategori. Për sa i përket stërvitjes me skuadrën e parë, ajo është kënaqësia e madhe.

Për çdo të ri të luash për skuadrën e qytetit tënd është ëndrra e parë e madhe futbollistike. Aq më tepër skuadra këtë sezon të ngjitet në Kategorinë Superiore dhe kjo po më jep mundësinë të stërvitem me futbollistë të talentuar dhe me eksperiencë. Po ashtu pas trajnerit Arbri po stërvitem nga një trajner ekspert, si Devolli. Jam i sigurt që kjo do më ndihmojë shumë për të ardhmen time. Ndaj Albpetrolit ishte prezantimi i parë në një ndeshje me Tomorin edhe pse në miqësore kënaqësia ishte e madhe. Për arsye që nuk lidhen me zgjedhjet e stafit teknik, më vjen keq që kam humbur prezantimin në ndeshjet e Kupës ndaj Bylis, por në fushë shpresoj t’ia dalë që këtë sezon të bëj prezantimin tim me ekipin e parë në mënyrë zyrtare”, përfundoi Kumani.

Eris Sylyku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"