“Në futboll bëj tifo për Juventusin”, Gerti Shima: Ja çfarë i mungon basketbollit…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2020 | 22:29

“Në futboll bëj tifo për Juventusin”, Gerti Shima: Ja çfarë i mungon basketbollit…

Gerti Shima për shumë vite me radhë është një prej basketbollistëve më të mirë shqiptarë. Kapiteni i Tiranës dhe i Kombëtares nuk po e ndien aspak peshën e viteve dhe vazhdon të jetë një protagonist absolut në basketbollin shqiptar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 33-vjeçari rrëfen gjithçka, duke nisur që nga Kombëtarja, për të vijuar me hapat e parë në sportin e koshit, hobit dhe pasionin për futbollin. Ai komenton gjithashtu edhe një temë të nxehtë të basketbollit tonë, që ka të bëjë me polemikat për arbitrat.Shima

Shima, ta nisim nga ndeshje e fundit me Kombëtaren, ku Shqipëria u rikthye te fitorja pas shumë kohësh. Cilat janë ndjesitë e kësaj eksperience?

Ishte një periudhë prej gati tri vite e gjysmë që na mungonte një fitore. Të them të drejtën, ne ishim përgatitur maksimalisht për të marrë dy fitore, por në ndeshjen e parë ndaj Portugalisë bëmë disa gabime në sekondat e fundit, që duhej t’i kishim evituar, gjithashtu na mungonte edhe Dallas Mur. Ndërsa në ndeshjen me Qipron, korrigjuam gjithçka dhe arritëm të fitonim. Sigurisht që është një ndjesi e bukur, ndiej emocion sa herë e vesh atë fanellë, edhe kur luajmë në miqësore, e jo më në takime zyrtare.

E mbani mend debutimin me Kombëtaren?

Sigurisht, fanellën e Kombëtares për herë të parë e kam veshur në vitin 2001, në një ndeshje miqësore me Kosovën në Gjilan. E mbaj mend shumë mirë, një ndeshje ku kam luajtur rreth një minutë e gjysmë dhe kam shënuar edhe një kosh për dy pikë. Pra, ky është viti i 19-të.

Ku mund të shkojë ky brez aktual dhe a ka talente që mund ta forcojnë më shumë përfaqësuesen?

E kam shprehur edhe disa herë të tjera, ndonëse dikujt mund të mos i vijë mirë. Në momentin e parë kur këto talente nuk do të kenë hapësirë për të luajtur në ekipet shqiptare, do të zbehen. Unë e kam ngritur zërin në aspekt, pasi nuk është normale që në një finale të jenë 10 lojtarë të huaj në fushë, ndërsa lojtarët e Kombëtares kanë një minutazh minimal. Kjo e penalizon shumë Kombëtaren.

Sa pikë ka shënuar Shima në karrierë? I mbani shënim pikët pas çdo ndeshje?

kur isha më i ri, i shënoja, por më pas hoqa dorë. Unë kam pasur fatin që çdo herë të luaj në ekipe pretendente, kështu që normalisht kam shënuar shumë, por shifrën e saktë nuk mund ta them. Megjithatë për mua nuk janë pikët gjithçka, pasi tani nuk shikohen vetëm koshat, por mënyra se si mbron, si sulmon, si lëviz në fushë dhe shumë detaje të tjera.

Ka ndonjë ritual të veçantë që bëni përpara ndeshjeve?

Të them të drejtën ditën e ndeshjes e kam të shenjtë, pasi e gjithë dita varion në sajë të asaj ndeshje. Përveç regjimit, ku ushqehem në një orar të caktuar dhe nuk ka shans që të ha më vonë se gjashtë orë para takimit. Ndërsa kam po të njëjtin vakt: fileto pule me rizoto pothuajse para çdo ndeshje.Shima Basketboll

Si e nisët karrierën? Kush ishte shtysa?

Hapat e parë në basketboll i kam bërë rastësisht. Ishte periudhë vere, kur u hapën edhe këto ekipet private. Gjithashtu kam pasur edhe vëllain me Tiranën, që ishte le të themi një shtysë për mua, sepse isha shumë i ri, vetëm 8 vjeç. Thjesht u futa së bashku me çunat e lagjes, por fatmirësisht unë ngela aty.

Cila është pesha që ka familja tashmë që je edhe baba?

Gjithmonë i jam përkushtuar familjes, por tani ka ndryshuar se mbas stërvitjes mendoj që të vishem sa më parë dhe të shkoj në shtëpi për të takuar vajzën.

Ju keni luajtur edhe jashtë Shqipërisë, çfarë i mungon basketbollit shqiptar?

Ka një organizim tjetër duke nisur që nga Kombëtarja, apo kampionati. Normalisht ata kanë edhe fonde më tepër, por ne nuk duhet ta përdorim si justifikim. Na mungojnë gjërat bazë, që nuk kërkojnë ndonjë mbështetje të madhe financiare. Jemi në vitin 2020 dhe nuk ekziston “livescore”. Hap faqet në “Facebook” dhe nuk di sa kanë dalë ndeshjet e kampionatit dhe s’ka as statistika. Nëse nuk ka statistika, nuk e njeh njeri basketbollin. Gjithashtu, mendoj që duhet të ketë një limit për lojtarët e huaj që zbresin në fushë, ashtu sikurse e ka edhe Kosova.

Çfarë përfaqëson për ju skuadra e Tiranës?

Është ekipi i zemrës, ekipi ku jam rritur dhe më kanë dhënë gjithçka, ashtu siç edhe unë kam dhënë gjithçka për këtë fanellë. E kam detyrim personal që ta ndihmoj këtë klub dhe t’ia shpërblej. E kam marrë vendimin për të qenë pjesë e Tiranës, pavarësisht problemeve që skuadra ka aktualisht. Jam krenar, pasi përtej të gjitha problemeve, po luajmë basketboll të mirë dhe po u tregojmë të gjithëve që basketbolli luhet edhe me lojtarë shqiptarë. Ndonëse skuadra po kalon një periudhë të vështirë, kam refuzuar disa oferta si nga brenda ashtu dhe nga jashtë vendit dhe nuk e kam menduar largimin.

Si e përjetove ndarjen nga jeta të Kobi Brajantit?

Gjithnjë kur më pyesnin për Xhordanin apo Brajantin, unë zgjidhja Brajantin. Ishte një njeri që kishte një ndikim të madh te njerëzit dhe ishte një humbje për sportin.

Shima

Keni ndjekur ndonjë ndeshje të NBA?

Po kam ndjekur, pasi vëllai im jeton në Çikago dhe më është dhënë rasti për të parë takimet Çikago-Boston dhe Çikago-Nju Xhersi. Diçka e jashtëzakonshme, ku kam qëndruar tre orë e gjysmë për të parë ndeshjen, por mund të them që kam parë vetëm 10 minuta, pasi jam impresionuar nga atmosfera e arenës.

Futbollin e pëlqeni?

Po të bëjmë një mesatare, mund të them që ndjek 10 ndeshje futbolli dhe 1 basketbolli. Përveç ndeshjeve të kundërshtarëve, të cilat sigurisht që i shikoj. Kjo edhe për faktin se futbolli më jep emocione pasi emocionet e basketbollit i kaloj vetë në fushë.

Cila është skuadra e preferuar në futboll?

Jam tifoz me Juventusin që prej vitit 1996. Kam parë edhe finalen kundër Ajaksit, ku Juventusi fitoi Ligën e Kampionëve me penallti. Nuk kam humbur shumë ndeshje nga takimet kryesore të Juventusit. Edhe kur nuk kam pasur mundësi, i kam parë ritransmetim.

Muzika, filmi apo lojërat kompjuterike, kë preferoni?

Dëgjoj muzikë nga të gjitha llojet duke filluar që nga populloret apo hip-hop. Filma shikoj shumë dhe mund të them që kam parë çdolloj seriali apo çdolloj filmi. Për sa u përket lojërave kompjuterike, në shtëpi kam një PS4 dhe më pëlqejnë më shumë lojërat me aksion. Ndërsa futboll luaj vetëm kur mblidhemi me shokët.

Shikojmë shumë klube që kontestojnë arbitrat. Mendoni që janë problem gjyqtarët në Shqipëri apo ekzagjerohet me këtë pjesë?

Rrugën mes ekipeve, arbitrave dhe federatës do të quaja të minuar. Duhet më shumë bashkëpunim mes palëve dhe këtë gjë duhet ta bëjë federata, pasi ajo është në mes si të ekipeve, ashtu edhe të arbitrave. Ashtu sikurse mund të dënohet Tirana, Teuta, Vllaznia apo Shima, të njëjtës procedurë duhet t’i nënshtrohen edhe arbitrat. Të gjithë jemi njerëz dhe mund të gabojmë, e rëndësishme është të mos gabosh me dashje, pasi aty çështja është alarmante dhe nuk mund të ketë falje. Të gjithë e morën shembull rastin e Bruno Daliut që duhet të dënohej përjetë dhe gjithçka është në rregull, por gjithashtu edhe arbitrat duhet të mbajnë përgjegjësi kur gabojnë.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"