“Në finalen e Kupës nuk ka favoritë”, Hebaj: Dëshiroj të qëndroj te Teuta, na duhet fat në shortin e Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2020 | 18:38

“Në finalen e Kupës nuk ka favoritë”, Hebaj: Dëshiroj të qëndroj te Teuta, na duhet fat në shortin e Europës

Në Durrës janë shumë herë më të qetë, pasi siguruan zonën “Euro” një javë para fundit të kampionatit. Teuta e arriti objektivin e saj, e megjithatë që të jenë të kompletuar duan edhe një trofe. Në vitin e 100-të të krijimit e kanë shansin, pasi më 2 gusht do të diskutojnë finalen e Kupës së Shqipërisë. Rubin Hebaj beson te fitorja ndaj Tiranës, e megjithatë fillimisht mendon që të kalojnë edhe Laçin. Java e 36-të do të jetë sa për statistikë në fakt, por shkodrani e do edhe një trepikësh.
rubin hebajj
Gjatë intervistës së dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi foli për golin vendimtar në Vlorë dhe të ardhmen.

Rubin, shënuat dhe i dhatë tri pikë Teutës në Vlorë. Si ndiheni?
Kur shënon, sigurisht që ndihesh mirë. Golat janë ata që më japin më shumë motiv për të vazhduar përpara. E rëndësishme është që realizuam objektivin.

Teuta siguroi Europën dhe arriti objektivin e fillimsezonit. Jeni më të qetë tani?
Po. Ky ka qenë një nga objektivat që ka pasur klubi që në start dhe sigurisht që jemi të lumtur. Tashmë shpresoj për pak fat në short dhe pse jo të mos kalojmë dhe një tur. Gjithsesi, rëndësi ka që të mbyllim sezonin me trofe.
Laci festa e golit
Kategorinë Superiore e mbyllni me Laçin, një tjetër ekip që ka siguruar zonën “Euro”… Për çfarë luhet kjo sfidë?
Duhet të futemi në fushë me motivim për ta fituar. Objektivin që ka vendosur klubi në fillim të edicionit e kemi arritur. Tashmë duhet të ruajmë vazhdimësinë për vitin e ardhshëm, ndaj do të jetë shumë e rëndësishme të marrim 3 pikët në këtë ndeshje. Kundërshtari është gjithmonë agresiv dhe këtë e dimë, por fakti që edhe ata e kanë siguruar Europën, e bën këtë një ndeshje më të lehtë për të dyja ekipet.
Tirana
Të dielën luhet edhe finalja e Kupës së Shqipërisë, mendoni se në ketë 100-vjetor do e sillni kupën në Durrës?
Do të jetë një takim shumë i vështirë. Është një finale dhe në një të tillë nuk ka favoritë. Unë kam besim tek ekipi. Do të bëjmë të pamundurën që ta fitojmë trofeun, pasi kemi bërë një sezon të mirë dhe duhet ta mbyllim me trofe.

Ku e shini të ardhmen tuaj, do vijoni te Teuta?
Është akoma herët për të folur për të ardhmen. Kam ende dhe dy ndeshje për të luajtur, e më pas do ulem të bisedoj me drejtuesit e Teutës për të ardhmen. Por, prioritet mbetet Teuta. Gjithsesi ka ende kohë.

Po shënohet shumë dhe pësohet pak, duket sikur ekipi është çliruar…?
Një skuadër të madhe e bën sulmi, por edhe mbrojtja. Një ekip është i fortë dhe ka garanci për të ardhmen kur i bën të dyja fazat e lojës. Është pozitive dhe e kënaqshme kjo ecuri. Kemi mundësi të shënojmë edhe më shumë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"