“Në finale s’ka favoritë, ja pse nuk ndikon njohja e Josës për ekipin”, Duro: I mund si me Besën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2022 | 13:51

“Në finale s’ka favoritë, ja pse nuk ndikon njohja e Josës për ekipin”, Duro: I mund si me Besën

Finalja e edicionit të 70-të të Kupës së Shqipërisë, VllazniaLaçi, është edhe një sfidë ish-trajnerësh, ku më i freskët është Mirel Josa që i la kurbinasit para gjysmëfinales së dytë të Kupës me Teutën. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” para ndeshjes së sotme, trajneri Shpëtim Duro pohoi se nuk ndikon ndërrimi i trajnerëve apo fakti se Josa e njeh më mirë Laçin si ish-trajner. Në skanerin e tij Duro tregon gjendjen e skuadrës kurbinase, që janë të plotë, të qetë dhe me objektiv të realizuar nga kampionati, por fitimin e Kupës e shikon si një motiv për të gjithë. Trajneri i Laçit u kujton shkodranëve finalen e Kupës të 2010-ës, kur në drejtim e Besës e mundi Vllazninë në finale të Kupës. Duro pohoi se edhe me Laçin kërkon të përsërisë atë finale të para 12 viteve ndaj kuqebluve. Në fund Duro flet edhe për sezonin e ri, por objektivat do të shpallen pas formatimit të Laçit, pasi priten që të largohen 2-3 titullarë.

SHPETIM DURO

Së pari, si vjen Laçi në këtë finale dhe a ka diçka që e shqetëson Shpëtim Duron 24 orë para ndeshjes?

Skuadra vjen me entuziazëm në këtë takim duke pasur parasysh se objektivin e nënkampionit e kemi arritur shumë javë më përpara. Çdo gjë është perfekte. Jemi grumbulluar prej tri ditësh dhe situata në skuadër është pozitive. Gjendja është e mirë, si dhe grupi është i plotë për ndeshjen finale.

Si për ironi të fatit, trajneri që ju zëvendësuat te Laçi, Josa, do ta keni rival. E mendonit se mund të ndodhte edhe kjo?

Nuk është hera e parë, por situatat e trajnerëve janë të çuditshme. Kanë ndodhur edhe situata të tjera me trajnerët, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Zëvendësimet janë gjëra normale. Unë isha trajner në periudhën e verës kur e lashë Laçin në nivele të larta, për sa u përket rezultateve dhe u zëvendësova me dy trajnerë gjatë këtij sezoni. E kam thënë që rikthimi im te Laçi është rivlerësim i punës time nga drejtuesit e klubit për atë që kam bërë me kurbinasit. Është një periudhë e jashtëzakonshme prej një viti e gjysmë me Laçin, me gjithë ndërprerjen që kam pasur. Kam arritur që me Laçin të jem rival për titullin kampion në sezonin e shkuar, kalim deri në turin e tretë të Ligës së Konferencës, nënkampion këtë vit për herë të parë në histori. Dhe sigurisht objektivi të cilin kemi përpara që është Kupa. Janë momente historikë për futbollin e Laçit. Patjetër që është një histori modeste në raport me skuadrat si Vllaznia, Partizani dhe të tjera.

Fakti që Mirel Josa e ka drejtuar Laçin për gjashtë muaj dhe e njeh mirë ekipin, sa ndikon kjo në këtë finale?

Nuk shikoj ndikime, për sa i përket pozicionit të trajnerëve. Njohuria për ekipet nga trajnerët tani është e lehtë për t’u mësuar si strategji, pasi ne ballafaqohemi katër herë brenda sezonit në kampionat, plus që ndeshjet jepen javë për javë në ekranet e televizionit. Kështu që nuk ka ndonjë avantazh apo disavantazh njohja ime në raport me Vllazninë apo njohja e trajnerit të Vllaznisë në raport me Laçin.

E ndieni veten favorit ndaj Vllaznisë apo i shikoni shanset të barabarta?

Nuk e ndjej veten favorit. Finalet nuk kanë të favorizuar, aq më shumë kur bëhet fjalë për skuadra të një niveli përafërsisht të barabartë për sa i përket organikës dhe pozicionimit në kampionat. Aq më shumë që e kam thënë që në periudhën e verës se Vllaznia dhe Laçi do të ishin pretendentë numër një për fitimin e titullit kampion. Kështu që shanset e finales janë të barabarta për të dyja ekipet.

Luhet në “Air Albania”, më mirë apo më keq për Laçin, duke qenë se këtë sezon nuk ka kujtime të mira nga ndeshjet në këtë stadium?

Është kënaqësi e jashtëzakonshme ta zhvillosh këtë takim në një impiant modern siç është “Air Albania”. Në sezonin e kaluar me Laçin unë kam kujtime shumë të mira nga ky stadium, pasi kam fituar me Tiranën.

Keni fituar një herë Kupën e Shqipërisë me Besën e Kavajës. Është ky momenti ta bëni me Laçin?

E kam thënë që është historike të arrish rezultate me skuadra si Besa apo Laçi që nuk janë në nivelet historike të klubeve me emër si Tirana, Partizani, Dinamo, etj. Tani është e njëjta situatë si në 2010-ën me Besën e Kavajës, ku skuadra u shpall nënkampione, fituese e Kupës dhe e Superkupës. Për koincidencë, ajo finale u fitua ndaj Vllaznisë. Ndaj, shpresoj që edhe në këtë finale me shkodranët të përsëritet ajo histori e para 12 viteve kur isha me Besën.

Fakti që fituesi i Kupës e nis nga turi i dytë i Ligës së Konferencës është një motiv ekstra për klubin që të kërkojë me çdo kusht fitimin e kësaj finaleje?

Nuk e shikoj si motiv shtesës. Motiv është trofeu që të gjithë e dëshirojnë, si ne drejtues, staf dhe lojtarë, por edhe kundërshtari.

Klubi ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës edhe për sezonin e ri, çfarë planesh keni dhe a do të kemi një Laç për titull?

Kam arritur një marrëveshje me drejtuesit e klubit edhe për një sezon tjetër, por jemi të fokusuar totalisht te finalja e Kupës. Pastaj duke parë edhe formatimin e skuadrës, se jemi të vetëdijshëm se 2-3 lojtarë nga grupi aktual nuk do të jenë pjesë e Laçit për sezonin e ri. Pas formatimit të skuadrës do të paraqesim edhe objektivat për sezonin e ardhshëm.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"