“Në fillim nuk kishim objektiv Superioren”, flet Abazaj: Jemi ekipi më i kompletuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2019 | 11:46

“Në fillim nuk kishim objektiv Superioren”, flet Abazaj: Jemi ekipi më i kompletuar

Me katër fitore radhazi, Pogradeci jo vetëm është skuadra anti-Lushnjë për momentin në Grupin B, por ka mundësi reale për të marrë vendin e parë. Në fund të fundit, Lushnjën e mundi brenda në “Roza Hazhiu”. Trajneri i ekipit liqenor, Ardjan Abazaj, edhe pse përpiqet të lërë mënjanë çdo grimcë euforie, pohon në një prononcim për “Panorama Sport” se Pogradeci i tij është skuadra më e kompletuar në grup. Ai thotë gjithashtu me sinqeritet se objektivi fillestar nuk ishte Superiorja dhe se lojtarët nuk duhet ta mbajnë mendjen aty, por t’i marrin ndeshjet një e nga një për të arritur në fund më të mirën.Abazaj222

ECURIA – “Kemi bërë disa fitore radhazi dhe kemi mundur njëri pas tjetrit rivalët tanë, Lushnjën, Apoloninë dhe Besën. Nuk janë pak, sigurisht. Ekipi ka treguar potencialin e vet dhe unë si trajner jam i kënaqur, por pres akoma më shumë, sepse e di shumë mirë se Pogradeci nuk ka dhënë ende më të mirën e tij. Ne anti-Lushnja? Unë mendoj se kemi ekipin me të kompletuar të grupit, me atë që kemi parë ndeshjet e deritanishme. Fillimi nuk ishte ai i duhuri, në ndonjë ndeshje na ka penalizuar fati, siç ishte rasti i Shënkollit në fushën tonë, ku kishim 13 raste, por topi nuk hynte në portë. Ndoshta nuk kemi pasur përgatitjen e duhur fizike në fillim, por tani jemi rritur shumë dhe e kemi treguar me rezultate.

Jam nga ata trajnerë që dua nga lojtarët të jenë të përqendruar dhe të mendojnë vetëm ndeshjen e radhës, siç kemi bërë deri tani, por dua ta pranoj se Pogradeci ka mundësi reale për vendin e parë. Edhe pse nuk dua të përmend emra, mund të them se lojtarë si Liçkollari, Alillari, Shkullaku, Shyti e të tjerë, mund të luajnë pa frikë në Superiore. Po ashtu, kemi edhe disa të rinj, që po i bëj gati të luajnë më shumë me Pogradecin”, shprehet trajneri Abazaj.

TURBINA – “Ndeshje shumë e vështirë. Ata luajnë shumë fort në fushën e tyre dhe e dimë shumë mirë se sa e vështirë do të jetë për ne. E kam parë Turbinën në një ndeshje miqësore dhe më ka pëlqyer për mënyrën si luante. Një ekip i konsoliduar, ndaj dhe e vlerësoj. Megjithatë, Pogradeci, si në çdo ndeshje tjetër, do të zbresë në fushë për maksimumin”, shton trajneri i liqenorëve sa i takon ndeshjes së kësaj jave.Ardian Abazaj

OBJEKTIVI – I pyetur në fund nëse do të kërkojë ndonjë afrim në merkaton e dimrit për të pasur më shumë garanci në lidhje me ngjitjen e mundshme në Superiore, trajneri Abazaj thotë: “Ne i marrim ndeshjet me radhë, duke synuar të marrim më të mirën. Kur nisëm sezonin, nuk kishim objektiv Superioren, por nuk ka pse të mos e pretendojmë. Pjesa e përforcimeve në merkaton e dimrit është një çështje që u takon drejtuesve të Pogradecit, ne kemi për detyrë të bëjmë sa më mirë punën tonë.

E thashë se duke parë nivelin në grupin tonë, Pogradeci i ka mundësitë për të zënë vendin e parë në përfundim të këtij kampionati. Le t’i marrim ndeshje një e nga një dhe të tregojmë Pogradecin më të mirë”.

FATJON RUPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"