Në fije të perit, te Devolli i frikësohen gjykimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2020 | 10:54

Në fije të perit, te Devolli i frikësohen gjykimit

Ka qenë një periudhë e trazuar për ekipin e Devollit, që pas rezultateve të javëve të fundit rrezikon shumë rënien në Kategorinë e Dytë. Paraditen e djeshme bilishtarët zhvilluan seancën e fundit stërvitore para takimit të parafundit të kampionatit me Elbasanin në transfertë.
Devolli5
Të gjithë futbollistët kanë premtuar se do të japin gjithçka nga vetja për të marrë një rezultat pozitiv dhe për ta mbajtur Devollin në kategori. Edhe barazimi do ta mbante në lojë skuadrën e drejtuar nga trajneri Festim Fetollari për mbijetesën.

Grupi është i plotë, pasi kthehet qendërmbrojtësi Cane, i cili nuk luajti me Ilirinë për shkak kartonësh. Devolli pritet të luajë me kujdes në mbrojtje, për të goditur në kundërsulm. E vetmja gjë që kërkojnë drejtuesit e Devollit është gjykimi i drejtë.

Pak ditë më parë madje klubi juglindor bëri një kërkesë zyrtare në FSHF për arbitra të huaj, por duket e pamundur që kjo të realizohet. Bilishtarët pretendojnë se janë dëmtuar vazhdimisht javët e fundit të kampionatit, ndaj dhe apelojnë për gjykim të paanshëm në këtë 90-minutësh vendimtar.
Elbasani-Shenkolli
Devolli do të udhëtojë sot drejt Elbasanit, duke zbatuar kështu rregullat e vendosura për t’u mbrojtur nga virusi. Ndeshja e sotme do të tregojë me shumë mundësi se cila do të jetë skuadra që do të bjerë direkt në të Dytën, ndaj dhe te Devolli synojnë të shmangin humbjen me çdo kusht.

THANAS GJATA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"