“Në fazën e tretë nuk falim, mundim Partizanin B”, kapiteni i Besëlidhjes bën “skanerin”: Lamë shumë pikë në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2021 | 10:50

“Në fazën e tretë nuk falim, mundim Partizanin B”, kapiteni i Besëlidhjes bën “skanerin”: Lamë shumë pikë në shtëpi

Besëlidhja nuk e kapi dot fazën “play out” dhe tashmë nuk i mbetet tjetër veçse të luajë për mbijetesë. U bë i 13- ti sezon që nuk ngjiten dot në elitë dhe kjo po i rëndon gjithnjë e më shumë lojtarët. Kledi Dibra i ka përjetuar të gjitha në Lezhë, e megjithatë shpresonte që këtë vit të realizonin misionin “Superiore”. Kapiteni e quan kampionatin të dështuar, por për “Panorama Sport” paralajmëron se në fazën e tretë nuk do të falin më askënd. Java e 19-të i vendos përballë Partizanit B dhe synimi është i qartë: fitorja.

DIBRA

“Rezultatet e dobëta dhe lënia e pikëve në shtëpi na kushtoi shumë, pasi na largoi nga zona e ‘play off’-it që do të thotë edhe një sezon më shumë në Kategorinë e Parë. Me fanellën e Besëlidhjes unë i kam përjetuar gati të gjitha emocionet, pozitive dhe negative qofshin. Kemi qenë aq pranë elitës tri sezone më parë, por nuk patëm fat te penalltitë. Me këtë fanellë kam përjetuar edhe uljen në Kategorinë e Dytë, por në fund të atij sezoni e pamë veten sërish në të Parën. Tani po mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës, që do ta luajmë nesër (sot) në Lezhë me Partizanin B.

Ne duhet dhe do të fitojmë patjetër. Nuk do t’i përsërisim më gabimet, të cilat na e ndërprenë ëndrrën që tani. Tashmë në drejtim kemi Alban Brukën, që zëvendësoi në këtë post Sinan Bardhin. Ky i fundit u largua pas dështimit për të kapur zonën e ‘play off’-it. Unë kam besim te trajneri i ri. E njoh shumë mirë, pasi e kam pasur trajner edhe tri vite më parë kur Besëlidhja theu rekord në Kupë dhe u kualifikua deri në gjysmëfinale. Dështuam, por edhe këtu kemi objektiva, që janë mbajtja e vendit të parë në këtë zonë, pasi mbijetesën as që e diskutojmë”, përfundoi shkodrani i lezhjanëve, Kledi Dibra.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"