“Në Europian dua medalje dhe kualifikimin për në Tokio”, Qerimaj: Kandidimi i Gjozës i bën mirë peshëngritjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2020 | 15:27

“Në Europian dua medalje dhe kualifikimin për në Tokio”, Qerimaj: Kandidimi i Gjozës i bën mirë peshëngritjes

Pandemia globale e Koronavirusit, si në të gjitha fushat, ka lënë pasoja edhe në sistemin sportiv botëror, teksa aktivitete të ndryshme janë shtyrë apo anuluar. E prekur nga kjo situatë është edhe peshëngritja shqiptare, e cila është disiplina sportive më e suksesshme e vendit në arenën ndërkombëtare. Erkand Qerimaj, një ndër shtangistët më të mirë kuqezi, tregon për “Panorama Sport” se si po e kalon këtë periudhë të kushtëzuar nga “COVID19”:

qERIMAJ

“Aktualisht po kaloj pushimet me familjen në bregdet, ndonëse për asnjë moment nuk i kam ndërprerë stërvitjet, pasi kam udhëtuar nga Velipoja për në palestrën në Shkodër. Megjithatë nuk jam stërvitur si zakonisht ku zhvilloja dy seanca në ditë, por më shumë për të ruajtur një formë 60- 70%, në mënyrë që të jem gati për t’u futur në përgatitjet me ngarkesë të lartë. Është një situatë shumë e paqartë për ne, pasi ende nuk dimë se kur do të jepet leja për aktivitet në salla të mbyllura”, shprehet fillimisht Qerimaj.

Sportisti shkodran, i cili nesër feston 32-vjetorin e lindjes është në kërkim të një kualifikimi për në Lojërat Olimpike dhe shpreson që të marrë pikët e nevojshme në Europian, aty ku beson se do të arrijë edhe zonën e medaljeve: “Objektivi i radhës për mua është Kampionati Europian, që do të zhvillohet në nëntor, por duke parë situatën, ende nuk mund të flitet me siguri për asnjë lloj aktiviteti. Synimi im në Europian është sigurimi i kualifikimit për në Lojërat Olimpike, duke qenë se kanë mbetur edhe dy gara kualifikuese. Gjithashtu, besoj që do të mund të futem edhe në zonën e medaljeve, këtë e them duke iu referuar rezultateve të mia”.

Qerimaj

Siç dihet, gjatë këtij viti Federata Shqiptare e Peshëngritjes do të zhvillojë edhe Asamblenë Zgjedhore, ndërsa në javët e shkuara në skenë ka dalë edhe ish-presidenti Elez Gjoza, i cili ka lënë të hapur mundësinë për një rikandidim të mundshëm për kreun e FSHP-së. Ndërkohë Qerimaj e konsideron diçka pozitive futjen e Gjozës në garë: “Sa më shumë kandidatë që të ketë, aq më mirë do të jetë për peshëngritjen, pasi në këtë mënyrë presidenti aktual, apo cilido që do të drejtojë peshëngritjen do të mobilizohet për të bërë akoma më shumë. Konkurrenca është pozitive. Gjithçka do të vendoset me votë dhe kush ta meritojë, le të fitojë”, përfundoi peshëngritësi kuqezi.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"