Në Elbasan mbajnë frymën pas paralajmërimit të Lazes, sfida me Devollin mbetet pezull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2020 | 8:46

Në Elbasan mbajnë frymën pas paralajmërimit të Lazes, sfida me Devollin mbetet pezull

Një ditë më parë pres identi i klubit të futbollit të Elbasanit, Arben Laze, deklaroi për “Panorama Sport” se nuk do ta lejonte ekipin të zbriste në fushë për ndeshjen me Devollin, nëse nuk do të merrte një sinjal pozitiv nga bashkia sa i përket mbështetjes për klubin. Edhe pse bëhet fjalë për sfidën më të rëndësishme të sezonit, presidenti Laze e kishte seriozisht dhe vetëm sot do të ndahet përfundimisht, nëse Elbasani do të zbresë në fushë apo jo.
Elbasani-Shenkolli
Gjithsesi, duke ditur pasojat nga braktisja e ndeshjes, gjasat janë që verdheblutë ta luajnë sfidën me Devollin dhe problemet në klub të diskutohen ndoshta pas përfundimit të saj. Megjithatë, situata nuk duket e qetë në Elbasan në këtë fund kampionati, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje vendimtare që vlejnë sa i gjithë sezoni.
lleshanaku
TRAJNERI – Në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, trajneri Shkëlqim Lleshanaku nuk preferon të flasë për situatën që po kalon klubi, duke menduar vetëm për ekipin në fushë. “Ju lutem, jam trajner, nuk është çështje që më përket mua. E kam përgatitur ekipin gjithë javën për të mundur Devollin dhe jemi gati të zbresim në fushë. Megjithatë, të gjithë e kemi të qartë dhe e dimë sakrificën që ka bërë presidenti për klubin, jo vetëm këtë sezon, por për shumë vite me radhë. Shpresojmë vetëm që të zgjidhen këto probleme. Nëse Elbasani është ende ‘gjallë’ sot, është meritë e tij”, u shpreh fillimisht trajneri Lleshanaku.
Devolli stervitje
Për ndeshjen e sotme ai thekson se kërkon vetëm fitoren dhe ka besim se do t’ia dalë. “Kjo është ndeshja që vlen sezonin. Të gjitha ndeshjet gjatë këtij viti kanë pasur rëndësinë e vet, por me Devollin luhet kampionati dhe kush humb thuajse bie nga kategoria. Ne synojmë vetëm fitoren dhe jemi përgatitur maksimalisht për këtë gjë. Për fat të mirë, nuk kemi mungesa dhe do të luajmë me lojtarët që kemi më në formë. Është një ndeshje që nuk duhet thjesht të luhet, por duhet fituar patjetër. Kam besim te djemtë dhe me atë që ata kanë treguar në javët e fundit të kampionatit, jam i bindur se nuk do ta diskutojmë fitoren me Devollin”, përfundoi tekniku elbasanas, Lleshanaku.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"