”Në disa fusha duhen çizme gjuetarësh”, Ilir Gjyla: Shi ka gjer në prill! Shtynë kampionatin, por të jepnin një datë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2021 | 14:00

”Në disa fusha duhen çizme gjuetarësh”, Ilir Gjyla: Shi ka gjer në prill! Shtynë kampionatin, por të jepnin një datë

Ilir Gjyla nuk është kundër shtyrjes së kampionatit, megjithatë e ka një hall. Trajneri priste që minimalisht FSHF-ja të jepte një datë, pasi nuk po di si të veprojë me ngarkesat në stërvitje.

iLIR gJYLA

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës së Lushnjës ngre këtë shqetësim dhe nuk ngurron që të analizojë gjendjen e grupit.  Është i kënaqur me afrimin e parë në merkato, por të kompletuar e quan skuadrën me një mesfushor dhe një sulmues.

Profesor, si kanë shkuar përgatitjet në këtë periudhë?

U dhamë ngarkesën e duhur futbollistëve për t’i pasur të gatshëm për pjesën e mbetur të kampionatit, kurse këtë javë po vazhdojmë normalisht.

Jua prishi planet shtyrja?

Ajo që na shqetëson më shumë është se nuk dimë kur do të fillojë kampionati. Kjo ka shumë rëndësi për programin, pasi duhet të dimë t’ua ulim apo ngremë ngarkesën futbollistëve.

FSHF-ja u kushtëzua prej motit të keq…

Dakord. Unë nuk dua ta komentoj fare këtë, pasi dihet si janë ditur terrenet dhe ambientet futbollistike në Shqipëria. Ka vende që duhet të hysh me çizme gjuetari. Nga dhomat e zhveshjes deri në pankinë duhet të veshësh çizmet e gjuetisë.

Dakord që u shty kampionati, nuk kam asnjë kundërshtim. Ne do ta zhvillojmë ndeshjet në Luz dhe unë e di shumë mirë se çfarë fushe është ajo e të tjera me radhë. Ndaj, them mirë u bë që u shty kampionati.

Pse jeni i shqetësuar atëherë?

Duhet të vazhdonte fjalia edhe me përcaktimin e datës, pasi dikur kampionati do të fillojë sigurisht. Shiu mund të vazhdojë edhe një muaj, edhe dy, edhe deri në prill. Kështu që, mirë do të ishte të caktohej një datë. Ndoshta të përcaktohej edhe një javë.

Të thuhej se këtë javë kampionati fillon, kaq. Kur e di këtë, ti u jep ngarkesë futbollistëve sepse e di që fillon kampionati të shtunën ose e ul ngarkesën kur gara fillon pas dy javësh. Bëhet si herën e parë.

Jeni i kënaqur me kushtet ku po stërviteni?

Ne po mundohemi, po vazhdojmë të stërvitemi në aneksin stërvitor. Si javën e parë edhe këtë javë aty po vazhdojmë të punojmë. Në këto kushte jemi. Nuk është as java e parë, as muaji ose viti i parë që ne stërvitemi aty. Jemi mësuar me këto kushte dhe kështu do të bëjmë. Mendoj që deri tani ecuria ka qenë pozitive.

Keni kërkuar një qendërmbrojtës, mesfushor dhe sulmues… por ka ardhur një lojtar për prapavijën. Kur do të vijnë të tjerët?

Kemi firmosur dje (të martën) me Bejkon. Një futbollist që vjen nga Luzi, por që ka qenë më parë edhe futbollist i Besës, Turbinës dhe Egnatias. Unë mendoj që është një prurje e mirë. Një futbollist i përgatitur, i mirë. Kjo ishte dhe arsyeja pse firmosi. Kështu që, mendoj se një afrim e kemi bërë.

Po mesfusha dhe sulmi?

Ne me të vërtetë thamë që na duhen futbollistë, por i duam cilësorë. Erdhën për provë italianët dhe nuk ishin keq, por kishin nga 3 muaj pa bërë stërvitje. Ne duam futbollistë të përgatitur, sepse për një javë ndoshta fillojmë kampionatin. Do të vëmë pikat mbi “i” për të marrë futbollistë që janë në gjendje për të filluar kampionatin pas një jave. Nuk i përgatisim ne për dy muaj. Pas dy muajsh kampionati mbaron.

Nga Besa tek Egnatia, rifillimi i sezonit është “i zjarrtë” për Lushnjën. Çfarë prisni nga këto 180 minuta?

Të zjarrtë e kishim edhe fillimin e fazës së parë, ashtu do jetë edhe tani. Nuk diskutohet. Ndoshta është shpejt për të folur. Nuk i dihet se çfarë do të bëhet derisa të fillojë kampionati. Ndoshta gjejmë ndonjë mesfushor, ndonjë sulmues tjetër. Megjithatë, edhe me këtë skuadër që kemi, ne do të mundohemi të jemi gati. Ne jemi përgatitur për të gjithë kampionatin, jo vetëm për këto dy ndeshje të para.

ALBAN ALUSHI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"