Në Dibër kanë një projekt, rrëfehet portieri: Do zbukurojmë Kategorinë e Parë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2019 | 22:13

Në Dibër kanë një projekt, rrëfehet portieri: Do zbukurojmë Kategorinë e Parë…

Pas tri vitesh në Kategorinë e Parë, duket se Korabi po kërkon rikthimin e madh në elitë. Gara do të jetë realisht e fortë, e megjithatë në klub kanë bindjen se janë në rrugën e duhur. Fakti që është ruajtur 90% e grupit dhe kanë ardhur lojtarë si Mziu, Çaço dhe Dobro, u kanë dhënë zemër lojtarëve për të tentuar realizimin e këtij misioni.

Birja

I sigurt për suksesin duket edhe Kadri Birja. Portieri në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” skanon fazën e bërë, merkaton, por nuk ngurron që të flasë pak më shumë edhe për rrugëtimin e tij në karrierë. Nelson Dida ka qenë shembulli i tij në kuadrat, ndërsa zbulon se ka refuzuar ofertë nga Kosova pasi i detyrohet presidencës dhe stafit të dibranëve.

Korabi e ka nisur me “vrull” këtë vit, mendoni se mbijetesa nuk do të diskutohet?

Mbijetesa nuk do të diskutohet. Kjo është pak, por e sigurt. Ambiciet janë shtuar dhe besoj se këtë vit do të jemi një nga tri ekipet që do të pretendojnë Superioren. Kur dihet që është ruajtur gati 90% e grupit nga sezoni i kaluar dhe janë afruar elementë realisht cilësorë nga merkatoja, jam i bindur se do të jemi një “kockë e fortë” për të tentuar majat dhe rrjedhimisht ngjitjen.

Pse jeni kaq të bindur se do të jeni më lart se ekipe si Besëlidhja apo Kastrioti?

Kemi nisur fazën që në Tiranë, atje ku zhvilluam 10 ditë intensive përgatitjesh. Javën e kaluar në ndeshjen me Burrelin mbyllëm dyjavorëshin e parë dhe prej të hënës kemi nisur të dytin. Thuajse asnjë ekip nuk e ka zhvilluar fazën kaq të rregullt sa ne. Jemi gati të rivalizojmë me këdo dhe të zbukurojmë garën. Por, gjithmonë duke ia lënë “fjalën” lojës.

Ju personalisht jeni stërvitur shumë edhe individualisht, çfarë misioni keni këtë sezon?

Këtë vit pothuajse nuk kam pushuar fare. I kam vendosur qëllim vetes që të ndihmoj ekipin e zemrës dhe të arrijmë atë objektiv madhor që kemi. Çfarë pres nga vetja? Si çdo portier, dua që ta mbajmë sa më gjatë portën të paprekur këtë sezon. Ky është misioni im. Dhe mendoj me punën e madhe që bën trajneri ynë i portierëve, Besnik Beqiri, do ia dal më së miri.

Birja6

Rrugëtimin tuaj në karrierë e kishit menduar kështu?

Besoj se çdo sportist ka ulje dhe ngritje në karrierë. Kam pasur një periudhë të mirë që duhet ta shfrytëzoja. Por, kjo gjë nuk ndodhi. E megjithatë, e kam rigjetur veten dhe ndihem i rilindur. Dhe meqenëse po më jepet rasti, duhet të falënderoj presidencën me Fehmi Mëziun në krye dhe stafin me dyshen Dorian Bubeqin e Donald Mëziun, që më hapën derën e madhe të Korabit. Besoj se sezonin e kaluar e kam justifikuar besimin, por këtë vit duhet t’ua kthej unë atë dorë të madhe që më dhanë. Në krahë kam pasur gjithnjë dhe dy futbollistë si Rigers Karaji dhe Briken Doçi. Falë tyre, gjithçka më është bërë më e lehtë te Korabi.

Nuk ju ka ardhur ndonjë ofertë tunduese gjatë kësaj vere?

Po dhe i kam refuzuar. Bëhet fjalë për një në Kosovë, të cilët bënë një ofertë realisht të mirë financiarisht, por u thashë “jo”. Kisha një obligim moral ndaj klubit dhe stafit dhe nuk mund të ikja.

A ka Birja një model në futboll?

Idhull kam vetëm Zotin, por shembuj për të marrë kam pasur. Do të veçoja Nelson Didën. Gjithmonë më ka pëlqyer portieri i Milanit.

Adela Merko – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"