“Në derbi dua tifozë të na mbështesin, por jo pijanecë”, Gjyla: Sefa sikur na paska “tërhequr këmbën zvarrë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2019 | 11:11

“Në derbi dua tifozë të na mbështesin, por jo pijanecë”, Gjyla: Sefa sikur na paska “tërhequr këmbën zvarrë”

Lushnja luan sot derbin me Apoloninë në kushtet e emergjencës. Mesfushorët Alushi dhe Mone do të mungojnë, pasi nuk janë rikuperuar në kohë. Në dyshim është sulmuesi Ervis Gjyla, i cili mund ta nisë nga stoli. Sulkja dhe Ruço janë të gatshëm, por lajmi i keq për lushnjarët është se dje është dëmtuar portieri Oltjan Haremi, i cili deri tani i kishte luajtur të gjitha ndeshjet të plota. Midis shtyllave trajneri Ilir Gjyla pritet të aktivizojë Ariol Kaloshin.gjyla

GJYLA – Për supersfidën e sotme tekniku i lushnjarëve u shpreh: “Të gjitha ndeshjet po na dalin përplasje të forta, edhe Iliria me Shënkollin. Me Apoloninë është një përplasje midis vendit të dytë dhe të tretë, por e keqja s’paska të sosur për ne në këto 3-4 javët e fundit. Sefa sikur na paska ‘tërhequr këmbën zvarrë’. Dëmtimi i tij na pruri edhe shumë dëmtime të tjera, kemi Alushin dhe Monen, që nuk rikuperohen.

Na gëzon rikuperimi i Sulkjes, ndërsa Ervis Gjyla është 50 me 50. Sikur të mos mjaftonin këto, na u dëmtua edhe portieri Haremi në stërvitje. Megjithatë, i kemi përgatitur futbollistët prej kohësh dhe ata do të dinë t’i përgjigjen ndeshjes. Mungojnë apo nuk mungojnë titullarë, do të mundohemi ta luajmë ndeshjen për ta fituar, ashtu si dhe kundërshtari. Patjetër, e respektojmë kundërshtarin, një ekip që vrapon në fushë, ka djem të rinj me dëshirë për të luajtur. Ata pretendojnë si ne dhe e përsëris se na prishin shumë punë mungesat, por do ta luajmë ndeshjen për të marrë rezultat pozitiv, duke dhënë maksimumin në fushë. Le të fitojë ai që e meriton”, deklaroi trajneri Gjyla një ditë para derbit me Apoloninë.gjyla

TIFOZËT – Trajneri lushnjar kërkoi mbështetje maksimale nga tifozët në këtë ndeshje për të pasur sa më shumë të ardhura, që do t’u shkojnë të prekurve nga tërmeti, por edhe për t’i dhënë kurajë skuadrës në një ndeshje të tillë. “Nëpërmjet gazetës ‘Panorama Sport’ kam bërë thirrje që stadiumi të mbushet edhe për ndihmën, sepse bashkia ka vendosur për të ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit. Para se të jemi trajnerë, jemi qytetarë. Kemi parë që të gjithë kanë dëshirë të japin diçka nga vetja për të prekurit nga tërmeti.

Një shumë simbolike nga të ardhurat prej biletave tona do të ndihmonte. Patjetër, tifozët i duam edhe për të përkrahur Lushnjën, për të dyja bashkë. U bëj thirrje të na ndjekin dhe mbështesin, ashtu siç u bëj thirrje të distancohen nga ndonjë pijanec që vjen në stadium dhe shan futbollistët. Do të ishte e papranueshme. U bëj thirrje grupimeve të tifozëve t’i largojnë këta persona, sepse nuk shahen futbollistët, edhe ata duan të fitojnë. Dua përkrahje, siç e kanë pasur traditë tifozët lushnjarë”, përfundoi trajneri Gjyla.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"