Në Champions përballë Karabakut, Cungu: Mezi pres të takoj Agollin, futbolli ka surpriza

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2018 | 22:29

Në Champions përballë Karabakut, Cungu: Mezi pres të takoj Agollin, futbolli ka surpriza

Kukësi ka mësuar dje kundërshtarin, me të cilin do të përballet në turin e dytë të Ligës së Kampioneve. Verilindorët që kaluan Valetën, tashmë do të sfidojnë Karabakun e Azerbajxhanit ku luan edhe ish-kapiteni i Kombëtares, Ansi Agolli. Azerët u kualifikuan përballë Olimpia Lubjana të Sllovenisë, pasi fituan 1-0 një javë më parë në transfertë, ndërsa dje barazuan 0-0 në fushën e tyre.

cungu1

Ndeshja e parë mes Kukësit dhe Karabak do të luhet javën e ardhshme më 24 ose 24 korrik në Shkodër, ndërsa sfida e kthimit një javë më pas në Azerbajxhan. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i Kukësit, Armando Cungu, flet në lidhje me Karabakun dhe shanset që ka skuadra për t’u kualifikuar. Gjithashtu, ai tregon edhe nëse do të flasë ose jo me Ansi Agollin që është pjesë e klubit azer.

E ndoqët ndeshjen mes Karabak dhe Olimpia Lubjana?

Të jem i sinqertë, jo. Isha në një darkë familjare. Nuk jam shumë i mirë për të hyrë nëpër sajte dhe linqe ku transmetohen këto takime, por klubi e ka regjistruar ndeshjen dhe do ta shoh nesër (sot) të gjithën me imtësi.

cungu

Kishit ndonjë preferencë mes këtyre dy klubeve për të pasur përballë?

Nuk kisha ndonjë preferencë, pasi është krejt normale që sa më larg të shkosh, aq më tepër vështirësohen gjërat dhe ekipet janë më të forta. Edhe rezultati i sotëm (dje) 0-0 tregon se të dyja ekipet kanë qenë pak a shumë në të njëjtin nivel.

Mendoni se Kukësi ka shanse që të kualifikohet përballë Karabak?

Të jem realist, është shumë e vështirë duke pasur parasysh ekipin e Karabakut që do të kemi përballë. Janë një skuadër  që marrin pjesë sistematikisht në Kupat e Europës, duke mbërritur në disa raste edhe në fazën e grupeve. Kjo do të thotë se do të jetë shumë e vështirë përballë tyre, por ne do të bëjmë më të mirën tonë me aq mundësi sa kemi. Do të provojmë gjithçka, futbollit nuk i dihet asnjëherë.

Ish-kapiteni i Kombëtares, Ansi Agolli luan prej tetë vitesh me Karabak. Do të flisni me të gjatë këtyre ditëve?

Nuk besoj se do flas me të. Agollin e njoh dhe kam shumë respekt për të si njeri dhe si sportist, por nuk kam se çfarë të diskutoj me të. Nuk është profesionale që të flas me të. Agolli është pjesë e një ekipi tjetër dhe është profesionist dhe nuk kam pse të flas me të. Do ta takoj me shumë dashamirësi, por vetëm kaq.

Pas ndeshjes në Maltë, mendoni se skuadra ka nevojë për ndërhyrje apo është OK?

Mendoj se ka nevojë për ndërhyrje. Do të ulem të diskutoj me presidentin dhe me drejtorin sportiv për të vendosur shumë gjëra në vijë. Jam i bindur se do të bëjmë më të mirën e mundshme, duke ditur që presidenti bën maksimumin për ekipin e tij. Do të mundohemi të krijojmë një ekip konkurrent, jo vetëm për Kupat e Europës që të ecim sa më shumë, por edhe për kampionatin ku kemi synimet kryesore. Vjen shpejt edhe kampionati dhe duhet të jemi të fokusuar.

Kur ishit pjesë e Kukësit përpara 6 vitesh si debutues në Europë, shkruat historinë duke mbërritur deri në “PlayOff”. Tani, a është më i madh presioni për të mbërritur sa më larg, pse jo në grupet e Ligës së Europës?

Përpara gjashtë vitesh kur isha te Kukësi, ishte një ekip tjetër. Ishte një grup që përballoi me shumë sukses kampionatin. Një skuadër e harmonizuar dhe lojtarët e njihnin shumë mirë lojën e njëri-tjetrit. Dhe këtë gjë e reflektuan mjaft mirë edhe në Kupat e Europës, ndërsa tani është një ekip tjetër me ardhje të shumta dhe ka një farë paqartësie. Megjithatë, me mundësitë që kemi dhe grupin që është, do të luftojmë për të bërë më të mirën. E rëndësishme është që në skuadër të mos mungojë serioziteti dhe dëshira.

Pas ndeshjes ndaj Valetës, keni menduar ndryshime në ekip për sfidat e radhës me Karabakun?

Fillimisht, do shoh me kujdes ekipin kundërshtar dhe më pas do të veproj. Do shikoj edhe alternativat që do kem, pasi një trajner ka gjëra të tjera në kokë dhe të tjera mundësi në fushë. Në varësi të kundërshtarit dhe mundësive që do kem, besoj se do zgjedh sistemin e lojës më të mirë për të bërë gjithçka që të kalojmë në turin tjetër.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"