Në Berat kanë dyshime, ish-kapiteni: Arbitrat paracaktojnë ndeshjet!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2017 | 19:14

Në Berat kanë dyshime, ish-kapiteni: Arbitrat paracaktojnë ndeshjet!

Ervis Çaço, ishkapiteni i Tomorit, i cili e dorëzoi shiritin menjëherë pas disfatës kundër Shkumbinit, ka folur për gazetën në lidhje me ecurinë e skuadrës gjatë fazës së parë të kampionatit.

Futbollisti 28-vjeçar e pranon që Tomori ka “çaluar” në disa momente, ku me pak kujdes dhe vëmendje mund të renditej disa shkallë më sipër në tabelën e klasifikimit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, futbollisti Ervis Çaço tregon edhe për raportet me trajnerin e ri.

ervis caco

Nëse do t’i bënim një përmbledhje ecurisë së Tomorit në këtë fazë të parë, cili është komenti juaj?

Në përgjithësi mendoj se gjithçka ka shkuar sipas pritshmërive, duke pasur parasysh që ndeshjet i luajmë në Kuçovë dhe jo në qytetin e Beratit. Në çdo ndeshje kemi synuar të marrim gjithmonë më të mirën, pasi ç’kuptim do të kishte ndryshe. Realisht skuadra ka çaluar në disa momente, që me më shumë përkujdesje, ndoshta do të ishim të klasifikuar disa shkallë më lart. Gjithsesi, notat janë pozitive për këtë paraqitje.

Ka ardhur edhe humbja e parë në transfertë. Çfarë nuk shkoi me Ilirinë?

Futbolli i tillë është pasi humbet dhe fiton aty ku nuk ta pret mendja. Ne ishim përgatitur për të marrë fitoren dhe këtë e treguam mjaft mirë ndaj kundërshtarit në fushën e lojës. I kryem të gjitha detyrat që na ishin dhënë, shpërdoruam shumë raste dhe në fund nuk morëm asgjë. Kjo nuk duhet të ndodhte. Këtu flas vetëm për gabimet tona, pasi, nëse do të komentonim të gjitha episodet e lojës, atëherë arbitri ka qenë faktori kryesor i kësaj disfate. Nëse do të kishte specialist posaçërisht, me bindje e them se ai do të ishte ngelësi më i dalluar në klasë.

Ervis Caco

Si shpjegohen këto ankesa të përhershme. Mos ndoshta kjo ndodh për të justifikuar rezultatin?

Absolutisht aspak! Pse duhet ta bëjmë një gjë të tillë? Ne jemi ankuar edhe në sfidat që kemi dalë të fituar, ku rasti më i freskët është ai ndaj Apolonisë. Tomori nuk kërkon që ta favorizohet dhe asnjëherë s’do ta kërkoj këtë gjë, por ama të luhet drejt dhe të fitojë ai që e meriton. Stadiumet po boshatisen disaditës dhe është për të ardhur shumë keq. Kjo ndodh, sepse shkaktarët kryesorë janë ata dhe e përfundojnë ndeshjen si t’ju teket. Është e papranueshme.

Çaço, të flasim pak për trajnerin e ri duke qenë se keni luajtur së bashku për disa vite. Si janë marrëdhëniet tuaja?

Është e vërtetë. Ne kemi luajtur së bashku për disa vite dhe marrëdhëniet tona janë tepër të shkëlqyera. Jo vetëm unë, por edhe një pjesë e konsiderueshme e lojtarëve aktual, si Paja, Bitri, Sharavolli, Myzyri e shumë të tjerë kanë luajtur përkrah tij. Mendoj se ekipi do të ketë përsëri një ecuri shumë të mirë dhe Gersi ka eksperiencën e duhur, pasi edhe si futbollist ka pasur një grintë jashtëzakonisht të madhe, ku besoj se atë do ta përcjellë edhe tek të gjithë ne.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"