Në Berat ka premio, kapiteni Karamani: Fitojmë me… eksperiencë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2020 | 17:18

Në Berat ka premio, kapiteni Karamani: Fitojmë me… eksperiencë

Tomori do të zbresë sot në orën 17:30 në stadiumin “Niko Dovana” për të sfiduar Vorën. Dy kryesueset e Kategorisë së Dytë do të diskutojnë mes tyre edhe kupën. Në Berat e duan me çdo kusht trofeun dhe jo vetëm për prestigj, por edhe për të mbushur xhepat.

Tomori Kategoria e Dyte

Para se të nisin stërvitjen, dje lojtarëve u është komunikuar prej trajnerit Kristaq Mile se do të kenë një premio të kënaqshme në rast se dalin fitimtarë. Seanca e fundit është përqendruar kryesisht në detaje të aspektit teknikotaktik. Përjashtim nuk kanë bërë as gjuajtjet nga pika e bardhë, pasi trajneri pret që ekipi të jetë gati edhe për këtë opsion.

KAPITENI – Kapiteni beson se skuadra ka forcën për ta kaluar me sukses këtë finale. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, Fatjon Karamani shprehet se ata kanë si “bonus” eksperiencën për përballje të tilla. “Grupi do të jetë i plotë dhe do të zbresë në ‘Niko Dovana’ vetëm për të fituar trofeun e Kategorisë së Dytë. Këtë optimizëm e mbështesim te forca që disponon skuadra, por edhe tek eksperienca që ka Tomori në ndeshje të këtij lloji.

Karamani Tomori

Them me bindje të plotë se forma sportive që kemi shfaqur gjatë kampionatit, është një garanci për fitoren. Pavarësisht se e njohim pak skuadrën e Vorës, do të ketë gjithë respektin tonë. Ndërkohë, keqardhja që do të na mungojnë sportdashësit tanë është e madhe. Por, jemi mësuar dhe do të luajmë edhe për ta. Jemi të bindur se në Berat do të kthehemi si kampionë”.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"