Në Berat e kanë seriozisht, Arbëri: Nuk i druhemi asnjë rivali, ndërtojmë një Tomor për Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2022 | 22:49

Në Berat e kanë seriozisht, Arbëri: Nuk i druhemi asnjë rivali, ndërtojmë një Tomor për Superiore

Në Berat ka rënë më në fund “gongu” për stërvitjen e parë zyrtare të vlefshme për sezonin e ri. Sikurse është bërë e njohur nga trajneri Klodian Arbëri, skuadra beratase do të dalë në fushën e stërvitjes të hënën, më 11 korrik. Faza e parë e përgatitjeve do të zhvillohet në ambientet e stadiumit “Tomori”.

Arberi

Programi stërvitor do të përmbajë dy faza, në të cilat do të zhvillohen testime fizike, por edhe seleksionime të gjithë atyre futbollistëve që do të kërkojnë të testohen te skuadra e Tomorit. Pas punës njëjavore në Berat, ekipi do të marrë formën e tij të plotë në përbërje. Do të ketë një organikë të plotësuar, si dhe kontrata të nënshkruara. Pas kësaj, ekipi do të udhëtojë jashtë Beratit, për të kryer fazën përgatitore, që sipas teknikut Arbëri, do të zhvillohet në kushte të shkëlqyera, të mundësuara nga stafi i donatorëve të Tomorit.

KLODIAN ARBËRI- Në lidhje me fillimin e punës, plani për ndërtimin e skuadrës dhe objektivat e Tomorit të sezonit të ri, për “Panorama Sport” trajneri Klodian Arbëri u shpreh: “Pas një pune paraprake dhe me kontakte të vazhdueshme me një pjesë të futbollistëve që mbyllën sezonin e kaluar, por edhe me ata që do të vijnë rishtas në skuadrën tonë për sezonin e ri, kemi vendosur që fillimjavën e ardhshme të startojmë stërvitjen e parë zyrtare për sezonin e ri futbollistik. Do të synojmë që në javën e parë të punës, t’u japim më shumë prioritet testeve fizike dhe fazës seleksionuese me të gjithë ata futbollistë që do të kërkojnë të jenë pjesë e ekipit.

Pjesë e skuadrës do të jenë të gjithë ata që kanë një kontratë 1+1 vjeçare, por edhe lojtarët që duan t’i shërbejnë fanellës së Tomorit. Dua të siguroj edhe një herë të gjithë aktorët dhe faktorët e futbollit beratas, se po punojmë të ndërtojmë skuadrën që do të synojë ngjitjen në Superiore. Investimi ynë është në funksion të elitës, nuk i druhemi asnjë kundërshtari, sepse me buxhetin ekstra të bashkisë dhe me rikthimin e grupit të donatorëve të sezonit 1999–2000, i pari unë si trajner dhe futbollistët, do t’i detyrojmë kundërshtarët tanë që të llogarisin si një pretendent serioz edhe Tomorin. Të paktën një vend që të ngjit direkt në elitë ne e kemi të prenotuar dhe në këtë pikë nuk do të bëjmë asnjë lëshim me rastin e 100-vjetorit”.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"