“Në Ballsh u gënjyem me lugë ‘bosh’, shpërdoruam 10 raste”, Gjyla: Pres fitoren me Turbinën, po bëhemi bajat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2021 | 15:09

“Në Ballsh u gënjyem me lugë ‘bosh’, shpërdoruam 10 raste”, Gjyla: Pres fitoren me Turbinën, po bëhemi bajat

Ilir Gjyla “skanon” Lushnjën. Mungesa e stabilitetit ka lodhur edhe trajnerin, e megjithatë ka ende shpresë te kjo skuadër. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai evidenton se ngërçi i golit duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, pasi po bëhen bajat.

Ilir Gjyla Lushnja

Kthesën e pret përballë Turbinës, kundërshtar që mbyll tabelën e renditjes. “Si çdo ndeshje tjetër, do të hyjmë në fushë për një rezultat pozitiv, por të njëjtin synim kanë edhe cërrikasit… Unë nuk e kam thënë kurrë që do të fitojmë para një takimi. Edhe kur më pyesin: ‘Profesor, çfarë pret nga kjo javë?’, u them: ‘Do të luajmë’. Kështu do të vazhdoj. Ne do të luajmë, sepse stërvitemi për të luajtur mirë. Kemi prodhuar futboll, por ama nuk kemi fituar. Mendoj që këtë radhë do të luajmë mirë sërish dhe rezultati vjen. Do të më pëlqente një fitore sido që të luajmë. Kemi kaq kohë, aq sa jemi bërë edhe bajat.

Askush nuk ka qenë më lart se Lushnja, por mbetet problem finalizimi. Me Bylisin janë humbur plot 10 raste shënimi. Është e vërtetë që kemi rritje nga java në javë. Këtë e barazoj, e baraspeshoj, se në të gjitha ndeshjet asnjë ekip nuk ka luajtur më mirë se ne. Nuk ka qenë më lart se ne, por kanë pikët. Kanë shënuar golin dhe në futboll feston ai që shënon. Në Ballsh nuk fituam sepse nuk shënuam dot. Bylisi një herë ka hedhur një top në zonë, jo se ka organizuar aksion. Një herë ka hedhur një korne dhe ka bërë një gol, ndërsa ne shpërdoruam. Patjetër që kemi pasur edhe mundësi tjetër ose ndonjë penallti apo gol të anuluar kot. Këto unë nuk i konsideroj fare, pasi mirë ato që nuk më dhe ti një apo dy, por këto 10 rastet e tjera që i humbëm vetë. Ne do të mundohemi ashtu siç jemi munduar edhe në ndeshje të tjera të luajmë mirë dhe si rezultat i lojës së mirë, të marrim trepikëshin, të marrim maksimalen”, tha tekniku.

KTHESA

Nga transferta me kryesuesit e kampionatit, Lushnja pret në shtëpi Turbinën e vendit të fundit. “Këto kemi parë gjatë javës. Në Ballsh ne u gënjyem me ‘lugë’ bosh. Unë i falënderova futbollistët për lojën e bërë. Por ama, me moshën që kanë sportistët dhe me mentalitetin e tyre, jemi munduar që të mos i gënjejmë me ‘lugë’ të zbrazët. Loja e mirë dhe humbja është të gënjehesh me ‘lugë’ bosh.

Kështu që, ne jemi me këmbë në tokë. Më kryesorja për mua, mundohem që të gjitha skuadrat t’i konsideroj si të barabarta. Si Bylisi, si çdo skuadër tjetër, edhe Turbina për mua është një skuadër e barabartë me të gjitha skuadrat e tjera. Një skuadër stërvitet një javë për të fituar një ndeshje. Do ta vlerësojmë kundërshtarin si të barabartë me të gjitha skuadrat e tjera. U kemi ngulitur futbollistëve, që Turbina duhet marrë seriozisht, si një skuadër elite, si të gjitha skuadrat e tjera që aderojnë në Kategorinë e Parë”, përfundoi Gjyla.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"