Në Ballsh ka optimizëm para ndeshjes, skuadra e Dovedan presion “demave” me ish-ët dhe afrikanët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2019 | 16:55

Në Ballsh ka optimizëm para ndeshjes, skuadra e Dovedan presion “demave” me ish-ët dhe afrikanët

Në Ballsh ka optimizëm para ndeshjes me Partizanin. Lojtarët e krahut, Andi Hadroji dhe Ntepe Frank, kanë besim se skuadra do të hyjë në fushën e lojës për të marrë 3 pikë. 

Bylis

“E vlerësojmë Partizanin, janë kampionët në fuqi të vendit dhe ne jemi përgatitur për të dhënë më të mirën në këtë ndeshje. Luajmë në shtëpinë tonë dhe duhet të bëjmë më të mirën”, deklaroi nigeriani, i cili i ka shënuar Partizanit në fazën e parë. Ndërkohë, Hadroji, që ka luajtur në disa ndeshje nga minuta e para, ka besim se skuadra do të rikthehet te fitorja. “Partizani vjen në Ballsh si kampion në fuqi.

I kemi harruar dy humbjet e fundit, që duhet të shërbejnë si mësim. Na duhen pikët dhe do t’i marrim”, theksoi i riu. Te Bylisi janë disa lojtarë që kanë luajtur me të kuqtë, duke filluar nga Ditmar Bicaj dhe Ardit Peposhi. Pa harruar këtu edhe Stivian Jankun dhe Marjo Barjamajn, të cilët kanë qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës U-19 të akademisë së Partizanit.

ATMOSFERA – Bylisi është një nga ekipet e Superiores, i cili ndër vite ka pasur shumë lojtarë të huaj e madje, edhe kur ka luajtur në Kategorinë e Parë. Ballshiotët, edhe këtë sezon në Superiore kanë një organikë të pasur me futbollistë dhe në staf, ku janë shtatë kombësi të ndryshme. Duke filluar nga trajneri Dovedan, i cili është me origjinë nga Bosnjë-Hercegovina. Për të vijuar me lojtarët afrikanë, Ntepe Frank e Beji Antoni nga Nigeria, apo ganezi Opoku dhe sulmuesi nga Mali, Saliu Guindo. Pa harruar edhe kamerunasin Mishel, që në verë u bë pjesë e Bylisit, si dhe argjentinasin Diego Celis.

bylis

Pra, 7 shtete të ndryshme, ndërsa të gjithë shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin dhe në Ballsh kanë gjetur ngrohtësinë e presidencës dhe stafit. Të gjithë të akomoduar sipas kërkesave, ndërsa në kompleksin “Gjanica”, Bylisi duket si një familje e madhe. Risi ka qenë edhe Elton Turabov nga Azerbajxhani, një lojtar nga një shtet që për herë të parë përfaqëson Bylisin në Superiore. Në kohën e lirë i sheh të gjithë bashkë, madje edhe me lojtarët shqiptarë, në baret e qytetit të Ballshit.

Erjon Saliu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"