Në Ballsh e kanë me gjyqtarët, Peposhi: Bregu simuloi, Gripshi luajti volejboll në zonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2019 | 16:45

Në Ballsh e kanë me gjyqtarët, Peposhi: Bregu simuloi, Gripshi luajti volejboll në zonë

Ardit Peposhi ishte protagonist në sfidën e zhvilluar në Ballsh mes Bylisit dhe Skënderbeut që përfundoi me rezultatin 2-3 për miqtë. 

ardit peposhi

Peposhi fitoi penalltinë, të cilën Hidi nuk e ktheu dot në gol, ndërsa është bërë “viktimë” e një penalltie të vjedhur nga ana e mesfushorit me tipare sulmuese të Skënderbeut, Dejvi Bregu, që i ka marrë një penallti, të cilën Krasniqi e ka kthyer në gol. Humbja ndaj Skënderbeut ishte e dyta për Bylisin në 12 javë, pas asaj me Teutën 1-0, në Durrës në javën e parë të këtij sezoni.

PRONONCIMI – Ardit Peposhi është parë mjaft i mërzitur pas ndeshjes. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai thotë se nuk e ka prekur fare Bregun, “Unë besoj në Zot dhe ju them me ndershmërinë më të madhe se nuk e kam prekur fare Bregun. Nuk kishte asnjë lloj kontakti. Unë i shkova vetëm për ta trembur, se e pashë që do rrëzohej kot. Shkova te anësori dhe i thashë që nuk e kam prekur fare, se kryesori ishte larg.

bylis

I kërkova edhe anësorit Qirici ta anulonte, sepse ishte shumë afër aksionit, ndërsa e dha kryesori që ishte shumë larg. Të gjithë, kush e ka parë ndeshjen e pranuan që nuk ishte penallti, madje edhe Bregu e pranoi vetë pas ndeshjes.

Të vjen keq se si të prishin ndeshjen ku përveç kësaj penalltie që është dhënë kot në dëmin tonë, na mohuan edhe një penallti tjetër te rasti i Gripshit. Në momentin që krosova, e preku topin me dorë si të ishte volejbollist. Po këtë gjyqtari nuk e ka parë dhe pse është shumë afër aksionit”, tha Ardit Peposhi, një nga titullarët e Bylisit.

KUKËSI – Ballshiotët tashmë do të nisin që të përgatiten për ndeshjen e radhës që do të luajnë me Kukësin pas dy javësh në transfertë. Në fakt, kjo periudhë do t’i shërbejë shumë skuadrës dhe trajnerit Dovedan aq më tepër që kanë pasur një ngarkesë të madhe me ndeshje. Gjatë kësaj periudhe, Bylisi do të zhvillojë edhe dy takime miqësore.

Erjon Saliu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"