Në Angli e bëjnë të sigurt, mesfushori i Junajtid i bashkohet Real Madridit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2022 | 14:00

Në Angli e bëjnë të sigurt, mesfushori i Junajtid i bashkohet Real Madridit

Që Reali i Madridit është ëndrra e shumë futbollistëve, është pak të thuhet. Këtë janar, ashtu si çdo dritare transferimesh, një sërë emrash janë lidhur me madrilenët, por ajo që intrigon është merkatoja e verës, gjatë së cilës priten goditje të bujshme nga ana e klubit spanjoll.

pogba

Mbape është më i lakuari prej kohësh, por tashmë një tjetër francez dëshiron t’i bashkohet skuadrës së Ançelotit dhe ka një mundësi të artë për ta bërë.

Pol Pogba nuk do të qëndrojë më në Angli dhe duket se për aventurën e tij të radhës ka zgjedhur pikërisht Realin e Madridit. Mesfushori që aktualisht mbron ngjyrat e Mançester Junajtidit, ka një kontratë që i skadon në qershor, në fund të këtij sezoni, dhe nuk e mendon zgjatjen e saj.

Pavarësisht insistimit të klubit anglez për të bindur yllin e tyre dhe propozimeve në shifra stratosferike, futbollisti i ka dhënë fund eksperiencës së tij 6-vjeçare në ishull.

As 500 mijë paund në javë që ishte oferta e fundit e “Djajve të Kuq”, që do ta bënin më të paguarin e historisë së Premier Ligës, nuk mjaftuan për të shmangur divorcin mes palëve dhe largimin e Pogbasë në qershor si transferim me parametër zero.

28- vjeçari është përfolur për kalimin e tij në klube të ndryshme si PSG-ja, Juventusi dhe Barcelona, por sipas “CaughtOffside”, Pogba e ka bërë tashmë të qartë se preferenca e tij është Madridi.

Nga ana e tyre, madrilenët do ta prisnin me krahë hapur një përforcim me përmasa të tilla aq më tepër me parametër zero, duke vendosur në dispozicion të Ançelotit një tjetër xhevahir për mesfushën.

Cilësia e organikës së Realit të Madridit është e dukshme jo vetëm nga titullarët, por edhe nga rezervat, ndërkohë që një i tillë është edhe Edoardo Kamavinga, francezi tjetër që edhe pse është transferuar në Madrid verën që shkoi nuk ka arritur të ketë impaktin e duhur në “Santiago Bernabeu”, duke ngritur dyshime mbi të ardhmen e tij.

Ardhja e mundshme e Pogbasë mund të ketë efektin domino dhe t’i hapë rrugë largimit të tij.

Më i interesuari për të përfituar shërbimet e 19-vjeçarit është Liverpuli, që e monitoron prej kohësh mesfushorin dhe mund të rezultojë përfituesi më i madh i kalimit të Pogbasë në Madrid, një kalim ky që me vullnetin e të dyja palëve nuk do të ketë më asnjë pengesë përveç kohës.

Përgatiti: NISLI GJINI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"