“Ndryshuan rregullat e lojës, m’u premtua tjetër gjë”, Burreli e shkarkoi, Patushi: Ishte han me dy porta!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2021 | 15:45

“Ndryshuan rregullat e lojës, m’u premtua tjetër gjë”, Burreli e shkarkoi, Patushi: Ishte han me dy porta!

Burreli largon Saimir Patushin. Katër javë pa fitore kanë detyruar klubin të marrë këtë vendim. Pas një mbledhjeje të zhvilluar, kryebashkiaku Agron Malaj ka “firmosur” shkarkimin e tij. Trajneri nuk e ka pritur fort mirë “divorcin” e parakohshëm, në një kohë që matjanët jo vetëm që prodhonin futboll, por ishin brenda pritshmërive. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 45-vjeçari rrëfen se i ishte premtuar projekt afatgjatë dhe objektiv për këtë sezon kishin vetëm mesin e tabelës.

Patushi-Saimir

U shkarkuat nga Burreli. Saimir, pse u mor ky vendim?

Ishte shkarkim. Gjërat nuk shkuan ashtu sikundër m’u premtua në fillim. Tjetër gjë më thanë pa ardhur mirë në Burrel dhe tjetër para nisjes së kampionatit. Mua m’u kërkua që të jemi në mes të tabelës dhe të bëjmë një punë për të mirë për vitin tjetër. Isha më shumë se dakord, por situata u përmbys me ikjen e ishpresidentit.

Kush është ish-presidenti?

Bajram Ballabani, ish-administratori.

Çfarë ndryshoi?

Shumë gjëra mbetën pezull, që me largimin e tij.

Ishin rezultatet e 4 javëve të fundit shkaku i këtij “divorci”?

Ka tri gjëra që unë kam bërë te Burreli dhe jam krenar. E para, është faza përgatitore. Mora reagime nga më të mirat nga lojtarët, duke e krahasuar me atë që kanë bërë më herët. Më thanë: “Presor faleminderit, pasi nuk jemi trajnuar kurrë kështu…”. E dyta, në këto 11 javë gati 90 për qind të ndeshjeve, për të mos thënë 100 për qind, i kemi dominuar dhe me raste flagrante. Si asnjëherë tjetër, ky ekip ka luajtur futboll “tiki-taka” dhe shumë sportdashës janë argëtuar. E treta, dhe më kryesorja, është impakti i tifozëve e qytetarëve dhe jo prej atyre që lëpijnë apo duan të dëmtojnë ekipin. Vajtja ime në Burreli solli jo pak ndryshim, duke filluar nga bilbili që dëgjohej përtej stadiumit. Nga punëtori i fushës dhe njerëz që shihja në rrugë më kanë thënë: “Këtu që ka qenë han me dy porta, faleminderit për këtë që ke bërë”. Jam shumë i kënaqur për atë që dhashë për ekipin e qytetit tim të lindjes.

Mendoni se keni bërë diçka gabim?

Edhe unë vetë kam gabimet e mia, nuk e mohoj, por kryesoja është që përmbusha tri gjërat kryesore që futbolli i ka dhe i realizova në pak muaj. Por, të vazhdonte ajo që m’u premtua në fillim dhe flisnim për një projekt afatgjatë, do t’ia dilnim. Ishim në rrugën e duhur…

Ju vjen keq që u mbyll kështu?

Më vjen keq, pasi futbolli nuk është i atyre njerëzve që nuk e duan ekipin dhe as meritojnë të jenë pjesës e administratës apo presidencës. E megjithatë, këtë sport e ka mbështjellë zallamahia.

Kush jua komunikoi vendimin?

Pas mbledhjes që kishte zhvilluar me administratorin, ishte vetë kryebashkiaku që ma komunikoi, zoti Malaj.

Diçka të fundit për të shtuar?

Po përsëris atë që thashë më lart, ndihem krenar për këtë grup dhe atë që kemi treguar në fushë. I uroj shumë suksese Burrelit. Futbolli kështu e ka. Në fund të fundit ekipi është mbi gjithçka, pasi lojtarët, trajnerët, drejtuesit ndryshojnë. Megjithatë, rregullat e lojës nuk duhet të ndryshojnë.

ADELA MERKO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"