Ndryshimi i trajnerit te Spanja, ja lojtarët që përfitojnë dhe ata që humbasin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2019 | 22:26

Ndryshimi i trajnerit te Spanja, ja lojtarët që përfitojnë dhe ata që humbasin

Ndryshimi i trajnerit në kombëtaren e Spanjës do të shoqërohet me të tjera lëvizje për sa u përket lojtarëve që do të grumbullohen në të ardhmen dhe sidomos në Europian. Çdo trajner në një aventurë ka pëlqimet e tij për disa futbollistë dhe kjo është reflektuar te Spanja në pak kohë që qëndroi Robert Moreno.

enriko moreno

Debati në portë – Portieri titullar me Luis Enriken ishte David De Gea, ndërsa Robert Moreno ndryshoi “dorezat”, duke ia dhënë përgjegjësinë Kepës. Ky i fundit luajti të gjitha ndeshjet eliminatore me ardhjen e katalanasit Moreno. De Gea pësoi 9 gola, ndërsa Kepa vetëm 4. Në portë rikthehet debati i madh dhe De Gea mund të jetë sërish titullari.

Shumë ndryshime – Ashtu si Luis Enrike, por edhe Robert Moreno kanë pasur 3 mbrojtës të pandryshueshëm në grumbullimet e tyre: Serxho Ramos, Hordi Alba dhe Dani Karvahal. Edhe lojtarët si Injigo Martinez, Azpilikueta, Albiol dhe Diego Jorente kanë qenë shpesh në listat e të dy trajnerëve. Enrike u kishte dhënë mundësinë lojtarëve të tjerë, si Xhoni Oto, Markos Alonso dhe Mario Hermoso.

gaa

Moreno ka pasur pëlqime të tjera, si Unai Nunjez, Regilon, Pau Torres dhe rikthimin e Hezus Navasit në mbrojtje. Në mesfushë, gjithashtu, do të ketë luftë të fortë për një vend në Europian. Buskets, Rodri, Saul, Tiago dhe Pareho e kanë vendin e sigurt, ndërsa Fabian Ruiz dhe Sarabia do të luftojnë deri në fund. Edhe Isko me Suson rikthehen të jenë kandidatë për të luajtur në “Euro 2020”, por fillimisht duhet të shkëlqejnë me skuadrat e tyre. Sulmi do të jetë reparti që preket më pak, pasi Rodrigo dhe Morata do të jenë të grumbulluar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"