Ndryshimet në basket, sekretari i FSHB-së bën analizën e sezonit: Ja plani për Superligën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2019 | 19:12

Ndryshimet në basket, sekretari i FSHB-së bën analizën e sezonit: Ja plani për Superligën

Sezoni basketbollistik 2018-2019 ishte ndër më të rivalizuarit e viteve të fundit, me një luftë sportive në të gjitha kategoritë, si për meshkuj, ashtu edhe për femra. Në këtë edicion gjithashtu nuk munguan problematikat, vështirësitë dhe polemikat.

korab llazani

Korab Llazani, sekretari i përgjithshëm i FSHB, në një intervistë për “Panorama Sport”, bën bilancin e sezonit që lamë pas. Llazani gjithashtu flet për vështirësitë që has federata, si dhe gjithashtu tregon risitë që mund të kemi për sezonin e ardhshëm.

Basketbolli shqiptar mbylli një sezon me shumë rivalitet, ku nuk munguan as polemikat. Ju si federatë si do ta vlerësonit këtë edicion?

Edicioni i sivjetshëm i Kampionateve Kombëtare, Kupave të Shqipërisë dhe Superkupave, për të gjitha kategoritë dhe moshat, si për femra ashtu edhe për meshkuj, në terma teknologjikë ka qenë shume i klikuar dhe në terma basketbollistike me një garë për t’u admiruar. Një edicion ku janë zhvilluar gjithsej 737 ndeshje, mesatarisht 23 ndeshje në javë.

Besoj se është një punë mjaft voluminoze dhe që kërkon një koordinim të kujdesshëm. Në Superligë, skuadrat kanë shfaqur nga fillimi i edicionit deri në ndeshjen e fundit të planifikuar, një nivel në rritje. Fitimi i trofeve është luajtur pothuajse në të gjitha finalet deri në sekondën e fundit.

Dua të falënderoj skuadrat e kësaj kategorie që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm dhe rivalitet të lartë në të gjithë edicionin. Një vlerësim meritojnë edhe skuadrat që luajtën në këtë sezon në Kategorinë e Parë meshkuj të rritur. Gara dhe lufta për të zënë vendin e parë në këtë kategori ka qenë shpeshherë dhe e shoqëruar me polemika, të cilat e kanë ndezur edhe më shumë garën për renditje.

Në Kategorinë e Parë për femra të rritura, ky edicion ka qenë i nxehtë dhe me një luftë të fortë sportive. Këtë vit trofetë u ndanë: Kupën e Shqipërisë e fitoi Shoqata e Basketbollit Tirana femra, Superkupën e Shqipërisë e fitoi Flamurtari dhe kampione u shpall Shoqata Klubi i Basketbollit Tirana femra. Pas një kohe të gjatë, dy trofe të kësaj kategorie rikthehen në qytetin e Tiranës.

Duke qenë të bindur se basketbolli i femrave te ne është me një numër më të vogël basketbollistesh në krahasim me meshkujt, këtë vit kemi pasur një rritje numri të lojtareve të huaja në kampionat. Ato me kualitetin e tyre dhe me nivelin e treguar i kanë dhënë një ndihmesë në rritjen e kualitetit të ndeshjeve të këtij edicioni. Një vend të rëndësishëm në veprimtaritë e këtij sezoni kanë zënë edhe kampionatet e të rinjve dhe të rejave, si dhe të paratërinjve apo të paratërejave, ku kemi pasur një sezon me takime vajtje-ardhje për të disatin vit.

Cilat janë vështirësitë më të mëdha që ka FSHB?

Në gjithë këto që përmenda më sipër, mund të shikohet lehtë se cili është volumi i punës. Natyrisht që vështirësitë janë komplekse. Ato fillojnë nga baza, që janë shoqatat anëtare (kushtet e stërvitshmërisë së tyre dhe financat) dhe vazhdojnë deri te ne, tek infrastruktura e munguar dhe financat, gjithashtu për ekipet kombëtare. Mendoj se abuzohet me dëshirat dhe vullnetet e njerëzve, si dhe organizatave që janë të përfshira në sport dhe në veçanti në basketboll.

Kemi një vështirësi të jashtëzakonshme me ambientet dhe infrastrukturën sportive. Këto ambiente, edhe pse nuk plotësojnë asnjë kusht dhe standard, mbingarkohen edhe me pagesa të papërballueshme ose vështirësisht të përballueshme. Kjo për të gjithë anëtarët. Inaugurohet salla e lojërave me dorë “Feti Borova”. Kryeministri, Z. Edi Rama thotë shprehimisht: “Kjo do të jetë shtëpia dhe arena e ekipeve kombëtare..!! Këshilli Bashkiak nxjerr vendim dhe ta vë në dispozicion me 100.000 (1 milion lekë) në ditë, në një kohë që buxheti i shtetit për FSHBnë është 10 milionë lekë (të reja).

Pra, me pak fjalë, vështirësitë janë shumëplanëshe. Mendoj se ka ardhur koha që të hartohen politika shtetërore të posaçme për mbështetjen e sportit. Çelësi që bën të mundur zhvillimin dhe zgjidh problemin është Ligji për Sponsorizimin. Ky do të jetë ai që do t’u japë zgjidhje vështirësive dhe do t’i vendosë gjërat për së mbari.

Këtë sezon kemi pasur një numër rekord të huajsh, si te meshkuj ashtu edhe te femrat. A pritet të kemi ndryshime për sa i përket reduktimit të këtij numri në sezonin e ardhshëm?

Po, është e vërtetë se këtë vit ka pasur një numër më të lartë të lojtarëve të huaj se vitet e tjera. Mendoj se prania e tyre në këtë edicion e ka rritur cilësinë e garës dhe ka ndikuar shumë pozitivisht në krijimin e një mendësie të re dhe profesionale. Kjo ka bërë që edhe spektatori të rrisë kureshtjen dhe të afrohet më shumë në eventet e basketbollit.

Kam dëgjuar shumë komente, shumë propozime, të cilat vlejnë të dëgjohen, por në asnjë mënyrë të na frikësojnë dhe të bëjmë hapa prapa. Kam dëgjuar se “nuk po luajnë lojtarët vendës”. Sporti në vetvete është garë dhe garën e fiton më i miri. Në sport nuk lirohet vendi për të luajtur, vendi zihet. Nuk besoj se është lënë jashtë loje ndonjë basketbollist vendor me cilësi më të mira se duhet t’i lirojë vendin ndonjë lojtari të huaj.

Pastaj, po t’u referohemi statistikave, në të gjithë kampionatet tona (m-f) marrin pjesë 311 basketbollistë dhe basketbolliste të licencuar, nga të cilët 269 janë vendës dhe 42 janë të huaj. Pra, 13.5% janë të huaj! Personalisht mendoj se nuk e kemi luksin akoma që të vendosim sanksione të kësaj natyre. Mund të vijë dita kur balancat të jenë ndryshe, atëherë edhe mundet. Gjithsesi, të gjithë anëtarët e kanë pasur në dorë të paraqesin propozimet e tyre për ndonjë ndryshim të mundshëm dhe për ta përfshirë atë në rregulloren e edicionit të ri.

Formati i Superligës është me 6 skuadra. A do jetë i tillë edhe në sezonin e ardhshëm?

Ka disa vite që Superliga luhet me këtë format. Në takimin e fundvitit në dhjetor, si dhe në asamblenë e zhvilluar, ka pasur propozime për ta rritur numrin e skuadrave. Këtë gjë disa anëtarë e kanë përcjellë edhe me shkrim. Të shikojmë sesi do të jetë pjesëmarrja në aktivitetin për edicionin e ri, ku do të jenë forumet që do të vendosin. Besoj që të gjithëve iu intereson që të kemi sa më shumë skuadra dhe sa më shumë garë.

Muajt e verës do të jenë të ngjeshura me aktivitete për ekipet tona kombëtare të të gjitha moshave. Çfarë synon Shqipëria në këto evente?

FSHB-ja vazhdon që t’i përmbahet vizionit të saj për një pjesëmarrje intensive në veprimtaritë europiane me të gjitha kategoritë. Zoti Ponari e konsideron me të drejtë si mënyrën e vetme integruese të basketbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Ne sivjet do të marrim pjesë me 7 ekipe dhe të gjitha kategoritë.

E kuptojmë se kemi një kosto shumë të lartë teknike, morale dhe financiare, por kjo është rruga e vetme që do të bëjë të mundur ngritjen e ekipeve kombëtare. Rezultatet nuk duhet që të na dekurajojnë, por duhet që t’i përmirësojmë vazhdimisht deri në maksimum. Sfida e ardhshme e vendit organizator, për kampionatin europian U-16 djem, na ka bërë të fillojmë punën që në fillim të vitit 2019, e cila do të finalizohet më 23 korrik 2019.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"