Ndryshime dhe dilema, trajneri i ri i Apolonisë rrëfen të ardhmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2018 | 20:32

Ndryshime dhe dilema, trajneri i ri i Apolonisë rrëfen të ardhmen

Pas dorëheqjes së Kashamit, drejtues it e klubit fierak nuk kanë humbur kohë për të gjetur pasuesin. Mariglen Kule, zëvendësi i Kashamit gjatë këtij sezoni, është komanduar provizorisht në krye të pankinës fierake. Pasi ka qenë “trajner emergjence” dhe me Bylisin, Kule ka marrë përsipër dhe Apoloninë e këtyre javëve limit të kampionatit.

Në karrierën e tij sportive, 35-vjeçari ka luajtur për Bylisin, Apoloninë, Dinamon, Tomorin dhe Albpetrolin, madje ka qenë edhe pjesë e përfaqësueses sonë U-21. Pasi ka mbajtur shiritin e kapitenit të Apolonisë si futbollist, po në këtë klub, ai ka trajnuar ekipe të moshave dhe ka qenë zv/trajner me Kashamin. Në intervistën e tij për “Panorama Sport”, Kule flet për përgjegjësinë e detyrës së besuar, vlerësimin për punën e Kashamit, si dhe për pritshmëritë e mundshme nga skuadra.

mariglen kule

Kule, ç’do të thotë për ju të drejtoni Apoloninë në një moment të tillë?

Pavarësisht nga momenti, jo vetëm për mua, por për këdo, të drejtosh një skuadër me emër dhe me kaq traditë në futbollin shqiptar si Apolonia, është nder, privilegj, por edhe përgjegjësi e madhe. Unë e ndiej si vlerësim, detyrim dhe përgjegjësi, ndaj do të përpiqem të bëj më të mirën e mundshme për skuadrën ku kaq vite kam luajtur dhe si futbollist.

A do të ketë një objektiv në këto javë të mbetura?

Do synohet të ruhet vendi i tretë apo do të ketë më tepër impenjime për elementin e ri? Do të ecim hap pas hapi. Normal që do t’i mëshojmë ndeshjes së radhës, duke punuar në të dyja drejtimet, si aktivizimit me sa të mundim të elementëve të rinj, po aq edhe rezultatit. Kampionati nuk ka përfunduar dhe gara për ne vazhdon në çdo drejtim.

Keni punuar një sezon të tërë me Kashamin. Si e vlerësoni punën dhe bashkëpunimin me të?

Një profesionist i vërtetë, trajner dhe bashkëpunëtor shumë i mirë, njeri me zemër të madhe. Mua më ka ardhur keq për dorëheqjen që ka bërë, por është vendimi i tij dhe nuk dua të komentoj këtë pjesë, veç i dëshiroj dhe uroj shumë suksese dhe në të ardhmen.

Nëse ju ofrohet posti i trajnerit të Apolonisë për sezonin e ardhshëm, do ta pranonit?

Nuk është një vendim që merret sot. Natyrisht që mbetet për t’u diskutuar me drejtuesit e klubit në një kohë të mëvonshme. Mua do të më pëlqente të vijoja në rolin tim, atë të përgatitësit fizik, por për të mirën e ekipit, të skuadrës, të Apolonisë, me të cilën më lidhin shumë gjëra, do të isha i gatshëm edhe të sakrifikoja. Gjithsesi, dua të mbetem te momenti, te përmbyllja sa më pozitive e këtij kampionati.

Si për ironi të fatit, “ruleta” e kampionatit ju vendos përballë Bylisit, skuadrës tjetër ku ju keni “gjysmën e zemrës”. Çfarë duhet të presim nga kjo ndeshje?

Është kthim i vështirë për mua, pasi trajnoj për herë të parë kundër Bylisit. Atje kam një pjesë të mirë të karrierës sime sportive, si futbollist e si trajner. Atje është një pjesë e rëndësishme e rritjes sime në të gjitha aspektet dhe unë nuk e fsheh mirënjohjen dhe respektin për atë klub, që më ka dhënë mundësi dhe besim për ta drejtuar dhe në Superligë. Por mbetemi profesionistë dhe nuk do ta dëshiroja ta nisja kundër Bylisit, por kështu rastisi. Ne shkojmë për të prezantuar veten tonë dhe vlerat e Apolonisë.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"