Ndreu në hall para Vllaznisë, dëmtohet një tjetër lojtar. Ja si pritet formacioni i Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2021 | 11:58

Ndreu në hall para Vllaznisë, dëmtohet një tjetër lojtar. Ja si pritet formacioni i Kastriotit

Për Kastriotin kjo periudhë do të mbahet mend gjatë për shkak të dëmtimeve që pasojnë njëra-tjetrën në skuadër që prej fundvitit. Normalisht, në këtë pjesë ndikim ka ngjeshja e kampionatit, por Kastrioti duke qenë një skuadër jo me një organikë të plotë, e vuan shumë dhe detyrohet të “arnojë” repartet. Për përballjen e së sotme me Vllazninë në transfertë, mungesë e sigurt është ajo e kapitenit Emiljano Çela për shkak kartonësh.

Festa-e-Kastriotit

Mirëpo, listës së mungesave i shtohet edhe një tjetër lojtar, i cili është dëmtuar dje në stërvitje dhe është në dyshim për këtë ndeshje. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin kamerunas, Edi Nikolas Bojom, një nga pikat kyçe së bashku me Çelën. Ditën e sotme do të shikohet edhe shkalla e dëmtimit të tij, por duket se bëhet fjalë për diçka serioze. Krahas dy qendërmbrojtësve, edhe Okebugu, Bardhi dhe Ajazi nuk janë të gatshëm, pasi ende nuk i kanë kaluar dëmtimet. Gjithashtu, për këtë ndeshje vijon të jetë mungesë Husein, por lajmi i mirë është që sipas burimeve në klubin krutan, javën e ardhshme ai do të mbërrij në Shqipëri nga Nigeria. Për takimin me Vllazninë trajneri Ndreu do të ketë në dispozicion mbrojtësin e majtë, Indrit Prodani, i cili mungoi ndaj Teutës për shkak kartonësh.

MERKATO

Kastrioti po lëviz të gjithë “gurët” për të gjetur elementë cilësorë për të përforcuar skuadrën në këtë merkato janari. Gjithsesi, klubi po has vështirësi, pasi në ato pozicione ku krutanët kërkojnë të afrojnë lojtarë, nuk ka të lirë në treg. Në këtë mënyrë, po shihen të gjitha mundësitë. Me shumë gjasë, deri në fillim të javës që do të vijë do të mbyllen marrëveshjet me dy lojtarë të përfolur së fundmi nga trajneri Ndreu. Emrat e tyre vijojnë të mbeten sekret, por nuk përjashtohet mundësia e ndonjë lëvizjeje surprizë, gjithmonë nëse do të arrihet të gjendet një lojtar në ato pozicione ku krutanët kërkojnë, pikërisht në qendër të mesfushës dhe në qendër të mbrojtjes.

kastrioti

BUJAR BALLIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"