Ndreu këshillon lojtarët: Mbani regjim, nuk përballohet Superiorja me sufllaqe!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2017 | 10:30

Ndreu këshillon lojtarët: Mbani regjim, nuk përballohet Superiorja me sufllaqe!

Stafi teknik i Kamzës, që drejtohet nga trajneri Ramadan Ndreu dhe përgatitësi i portierëve, Elton Puriqi, gjatë javës së shkuar i kanë përqendruar përgatitjet e skuadrës kryesisht në aspektin fizik. Por një tjetër mision ka qenë vëzhgimi me kujdes i lojtarëve që kanë ardhur për t’u testuar.

ndreu

Rreth 27 lojtarë i nisën provat te Kamza dhe pas përzgjedhjeve të deritanishme trajneri Ndreu ka mbajtur vetëm 13, por edhe për ata pritet një tjetër seleksionim. Gjatë këtyre seancave nuk kanë munguar këshillat e trajnerit Ndreu për lojtarët që përgatit, ku kërkesa kryesore është mbajtja e regjimit sportiv.

“Nëse do të përballosh një kampionat në Superiore, së pari duhet të kesh karburant, i cili vjen në bazë të një regjimi veprimesh ditore, por edhe një regjimi ushqimi e gjumi. Nuk mund të përballosh seancën stërvitore me një sufllaqe apo duke qenë i përgjumur”. Kjo ka qenë këshilla e trajnerit të Kamzës për lojtarët që stërvit çdo ditë.

Merkato

Kamza, edhe pse ka bërë dy goditjet e para në merkaton e verës, duke afruar brazilianin Bruno Arrabal, mesfushor shkatërrues, si dhe afrikanin Noel Nyason, sulmues krahu i majtë, krerët e klubit akoma nuk kanë zyrtarizuar asnjërin prej tyre, pasi akoma nuk janë hedhur firmat në kontratat e reja.

Kjo nuk ka ndodhur vetëm me këta dy futbollistë, por edhe lojtarët e tjerë që janë ruajtur nga sezoni i shkuar, apo të tjerët që stërviten rregullisht. Gjithsesi, gjatë kësaj jave gjithçka pritet të zgjidhet, pasi të shtunën pritet që të nisë faza intensive përgatitore. Gjithashtu, këtë javë një përgjigje presin edhe disa prej lojtarëve që janë në provë dhe kanë kaluar sitat e para, si Klaudio Hyseni i ardhur nga Teuta, Xhino Ngjela i ardhur nga Partizani, Armand Rami nga Kukësi B.

Te Kamza ka pasur edhe rikthime, si Erbi Abazaj, Alvi Gjonaj, Rudion Toçilla dhe Albi Xhabrahimi. Sa i përket rikonstruksionit të stadiumit, gjithçka duket në rrugë të mbarë. Punimet për rikonstruksionin e stadiumit “Kamza” ka rreth tri javë që po vazhdojnë me ritme mjaft të larta. Dje ka përfunduar edhe shtrimi i tapetit të fushës dhe punimet janë të përqendruara në ambiente brendshme dhe rrethuese të stadiumit.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"