Ndreu ka besim absolut: Hapin fals e bëmë në Burrel, Kastrioti fiton në Shijak

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2020 | 12:27

Ndreu ka besim absolut: Hapin fals e bëmë në Burrel, Kastrioti fiton në Shijak

Me një ekip thuajse të plotë, Kastrioti shkon sot në Shijak për t’u përballur me Erzenin. Atmosfera në kampin krutan ka qenë e mirë gjatë kësaj jave, pasi janë kthyer pothuajse të gjithë lojtarët që munguan në ndeshjen ndaj Dinamos, me përjashtim të mesfushorit Xhulio Mehmeti, i cili ende nuk është gati. Fitorja e fundit dhe plotësimi i grupit kanë rikthyer atmosferën pozitive te Kastrioti, që në Shijak pretendon 3 pikët për të ruajtur dhe pse jo thelluar diferencën me vendin e dytë.ramadan ndreu

NDREU – Këtë e pohon për “Panorama Sport” edhe trajneri i skuadrës krutane, Ramazan Ndreu, i cili shprehet: “E kam deklaruar gjithmonë se çdo ndeshje që vjen përpara, është shumë e vështirë, sepse të gjitha skuadrat kërkojnë të realizojnë objektivin e tyre. Kundërshtari i radhës që kërkon të hyjë në katërshen e parë i kërkon medoemos pikët, ndaj kjo transfertë merr një rëndësi të veçantë. Ne kemi objektiva të tjerë, duam të ruajmë distancën dhe ta mbajmë këtë hendek pikësh deri në fund, që do të thotë në Shijak shkojmë vetëm për të fituar.

Këtë që them e bazoj te forma e mirë e skuadrës, që ka një ecuri pozitive në rezultate që nga fillimi i kampionatit. Km besimin absolut se në Shijak do ta fitojmë ndeshjen. Grupi që kishim në ndeshjen e fundit, ku bëmë një lojë të mirë, është plotësuar me lojtarët që ishin me grip apo të dëmtuarit, ndaj dhe jemi edhe më të fortë.kastrioti

Hap fals si në Burrel? Gjithçka mund të ndodhë, futboll është, por besoj se e kemi bërë atë hapin fals, s’kemi kohë më për gabime. Jemi munduar gjatë gjithë javës t’u bëjmë të ditur lojtarëve se duhet ta thellojmë distancën me vendin e dytë. Do të tentojmë me të gjitha forcat që në Shijak të marrim 3 pikët e radhës”.

STATISTIKA – Kastrioti është dominues sa u takon përballjeve të viteve të fundit me Erzenin. Në 10 përballjet e zhvilluara mes tyre që nga viti 2016, rezulton se Kastrioti ka fituar 8 takime, 1 është mbyllur në barazim, ndërsa shijakasit kanë vetëm 1 fitore. Edhe në ndeshjen e sotme krutanët nisen si favoritë.

BUJAR BALLIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"