Ndreu, i sinqertë: Besëlidhja ekip i mirë, reagojmë shpejt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2019 | 15:25

Ndreu, i sinqertë: Besëlidhja ekip i mirë, reagojmë shpejt

Kastrioti pësoi humbjen e parë në Lezhë, por sërish ka arritur të ruajë vendin e parë, madje tani, me renditjen e re pas dënimit të Shkumbinit, shkon sërish +5 nga Besëlidhja. Trajneri Ramadan Ndreu, për sfidën me lezhjanët shprehet: “Skuadra nuk është se luajti keq, por vjen një moment që edhe mund të humbësh. 

ramadan ndreu

Mendoj që nuk ishim në gjendjen tonë më të mirë, pasi dy-tre lojtarë nuk janë në formën e duhur. Ndoshta kanë edhe atë ciklin e vet, por gjithsesi them se thjesht humbëm një ndeshje dhe do të vazhdojmë të shohim përpara. Jemi përpara rivalëve dhe shpresojmë ta thellojmë akoma më shumë diferencën e pikëve.

Sa ka ndikuar humbja e parë? Kuptohet që kur merr humbjen e parë, goditja është më e fortë se tek ato skuadra që marrin humbje rregullisht. Gjurmë te ne ka lënë ajo humbje, por gjatë gjithë kësaj jave jemi munduar që lojtarëve t’u shpjegojmë që në futboll ndodhin këto. Aq më tepër që të jemi të sinqertë, edhe Besëlidhja është ekip i mirë që ka treguar nivel gjatë kësaj pjese të kampionatit, kështu që shpresoj që këtë javë, në ndeshjen me Veleçikun të japim më të mirën. Duhet ta vlerësojmë maksimalisht kundërshtarin, që është një skuadër që luan bukur futboll, e kam ndjekur. Shpresojmë të fitojmë”, ka thënë trajneri i Kastriotit, Ndreu.

kastrioti

FRIKA NGA NËNVLERËSIMI 

“E thashë më lart, Veleçikun kurrsesi nuk mund ta marrësh një ekip të lehtë, pavarësisht se është nga fundi i klasifikimit. Është një skuadër që ka luajtur shumë bukur futboll, është një skuadër që do vlerësim maksimal, duke ditur që në futboll në momentin që nuk je serioz dhe nuk e vlerëson kundërshtarin, nuk merr atë që duhet. Mendoj se futbollistët janë të mobilizuar, aq më tepër pas asaj humbjeje në Lezhë, ndaj jemi optimistë”, ka shtuar trajneri krutan.

MUNGESAT 

Janë tri mungesa të Kastriotit për ndeshjen e radhës, Selaci, Sefgjini dhe Karakaçi. “Janë mungesa të rëndësishme, por i kemi lojtarët për t’i zëvendësuar dhe do të thosha që ata lojtarë që do të luajnë, duhet të tregojnë veten dhe se e meritojnë të jenë në formacion. Është shans i mirë për ta”, ka përfunduar Ndreu.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"