Ndreu drejt zyrtarizimit, Kastrioti në dilemë për dy talente

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2019 | 19:07

Ndreu drejt zyrtarizimit, Kastrioti në dilemë për dy talente

Drejtuesit krutanë duhet të vënë sa më parë pikat mbi “i” për shumë çështje që kanë lidhje me skuadrën e sezonit të ardhshëm, duke filluar nga ajo e trajnerit.

kastrioti

Ramadan Ndreu pritet të zyrtarizohet në orët në vazhdim në krye të stolit të Kastriotit, duke marrë vendin e Bledar Devollit. Gjithçka është mbyllur dhe Ndreu, bashkë me stafin e tij, do të marrë përsipër misionin e kthimit të skuadrës krutane në elitë. Pas emërimit të trajnerit pritet të fillojë puna me rinovimin e kontratave të lojtarëve të sezonit të fundit, si dhe me ata që do të përforcojnë Kastriotin.

Drejtuesit e Kastriotit kanë premtuar ruajtjen e boshtit të skuadrës dhe disa afrime të goditura, me synimin kryesor rikthimin në elitën e futbollit shqiptar sezonin e ardhshëm. Deri tani janë larguar disa lojtarë, por pjesa më e madhe e skuadrës është nën kontratë.

ramazan ndreu

SHEHU-BARDHI – Kastrioti rrezikon të humbë disa lojtarë, pasi kërkesat janë të mëdha për ata që shkëlqyen sezonin e shkuar. Dy lojtarët që kërkohen më së shumti janë Julian Shehu dhe Patrik Bardhi. I fundit që ka “trokitur” në derën e Kastriotit për ta është klubi i Kukësit. Burime të “Panorama Sport” bëjnë me dije që zyrtarët kuksianë janë interesuar seriozisht për këta dy lojtarë, duke hequr dorë nga kërkesat e mëparshme për Herald Markun dhe Lukman Husein.

Drejtuesit e Kastriotit nuk kanë dhënë ende një përgjigje, sepse nuk duan të nxitohen, duke parë edhe kërkesat e shumta. Duhet pritur të paktën edhe dy ditë për të mësuar se ku do të luajnë Shehu dhe Bardhi sezonin e ri. Gazeta ka mësuar se mes Partizanit dhe Kastriotit është arritur një akord paraprak, por të kuqtë duhet të presin datën 17 qershor për përgjigjen përfundimtare, pasi në garë për shërbimet e lojtarëve në fjalë është edhe një skuadër turke.

Pas kësaj date, gjasat janë që këta dy lojtarë, nëse nuk firmosin në Turqi, t’i bashkohen Partizanit. Me futjen e Kukësit në garë mund të ketë ndonjë ndryshim programi, pasi oferta e klubit verior mund të jetë më e lartë. Brenda 48 orëve të ardhshme vendoset për të ardhmen e Julian Shehut dhe Patrik Bardhit.

BUJAR BALLIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"