Ndreu: Do luajmë pa euforinë e renditjes, sot radha e Raçiçit për të shënuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2017 | 10:56

Ndreu: Do luajmë pa euforinë e renditjes, sot radha e Raçiçit për të shënuar

Kamza pret sot në shtëpi, në orën 14:00, Partizanin dhe synimi për ekipin e Ramadan Ndreut është fitorja, që do t’i mbante në vendin e katërt në tabelën e klasifikimit. Trajneri Ndreu i Kamzës mendon vetëm për trepikëshin ndaj “demave”, gjë të cilën e pranoi edhe në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, një ditë para ndeshjes.

ndreu

“Sigurisht që paraqitet një ndeshje e vështirë, duke pasur parasysh se Partizani është një skuadër me emër të madh dhe shumë e fortë. Ne e kemi vlerësuar takimin si të tillë, por duhet të luajmë me kujdes dhe pa euforinë e renditjes në tabelë dhe të fitores së arritur në transfertën e Laçit. Çdo ndeshje është e vështirë. Edhe me Partizanin është e vështirë.

Na favorizon pak fakti se luajmë në fushën tonë. Jemi në rrugën e duhur. Kemi djem që luftojnë dhe punojnë shumë. I uroj për një tjetër fitore. Siç dihet, objektivi ynë është ai që ka pasur Kamza që në fillim. Ne jemi një skuadër e re e ndërtuar rishtazi.

Objektivi ynë është që të pozicionohemi në gjashtëshen e parë të elitës. Nëse do ta arrijmë këtë objektiv do të jemi shumë mirë dhe mjaft të kënaqur. Po hedhim hapat e duhura. Ishte radha e Plakut për të shënuar javën e kaluar, ndërsa nesër (sot) duhet të jetë radha e Raçiçit (thotë me shaka Ndreu)”, u shpreh trajneri i Kamzës.

kamza formacioni

PËRGATITJET

Kamza është e përgatitur për një tjetër fitore, ku këtë radhë do të presë Partizanin. Atmosfera për këtë takim pritet të jetë e zjarrtë me një stadium të tejmbushur nga tifozët, pasi ky duel ka marrë vlerën e derbit të vetëm të kryeqytetit në Superiore.

Dje kamzalinjtë u kanë dhënë dorën e fundit përgatitjeve për Partizanin dhe gjithçka ka qenë e fokusuar te pjesa tekniko-taktike dhe përvetësimi i disa skemave loje. Edhe për këtë takim trajneri Ndreu nuk e ka të plotë grupin dhe problemi më i madh qëndron në të majtë të mbrojtjes. Pas seancës së fundit Kamza është grumbulluar, kështu që e gjithë vëmendja e lojtarëve dhe e stafit është e përqendruar te ndeshja e sotme me Partizanin.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"