Ndreu dhe Mërgjyshi qajnë sulmin, me sytë nga e ardhmja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2016 | 18:32

Ndreu dhe Mërgjyshi qajnë sulmin, me sytë nga e ardhmja

Mungesa e finalizimit ishte problemi kryesor që shfaqën dy skuadrat që hapën Superioren, Laçi dhe Korabi. Për këtë janë të ndërgjegjshëm stafet teknike të të dy skuadrave. Si drejtori sportiv i Laçit, Ramazan Ndreu, ashtu edhe trajneri i Korabit, Artan Mërgjyshi, pranuan pas ndeshjes para kamerave të “SuperSport” se loja ishte ndikuar nga forma jo e përshtatshme e futbollistëve me tipare ofensive.

Ndreu ne pankine

Ramazan Ndreu drejtor sportiv i Laçit

“Kuptohet që ndeshjet e para të kampionatit në përgjithësi janë nën nivelin mesatar. Dihet që skuadrat janë jo të kolauduara dhe jo në ritmin e duhur. Për sa i përket ndeshjes së sotme, ishte nën nivelin mesatar, jo ajo që kërkonim. Ekipi vjen me një ndryshim total të lojtarëve, thuajse të gjithë janë të rinj. Gjithçka do kohën e vet, duhet të adoptohemi dhe për momentin jemi ok.

Në përgjithësi jam i kënaqur, janë lojtarë të rinj që duan kohën e tyre të sistemohen me grupin, mora atë që prita prej tyre po presim më shumë në ndeshjen e ardhshme.

Pjesa më e vështirë e lojës është e sulmit, edhe ne aty e kemi defektin. Një brazilian, forca jonë kryesore në sulm, u dëmtua, ndaj na u desh të fusnim një tjetër që nuk ishte në formën më të mirë fizike. Sot ishim larg në fazën sulmuese.

Për këtë vit na duhet punë e madhe që të afrohemi te zona e Kupave të Europës, jemi larg, pasi një skuadër e bërë nga fillimi është e vështirë që të koordinohet siç duhet. Nuk jemi 100% të sigurt çfarë mund të presim nga ekipi. Gjithçka është e hapur, janë të rinj dhe për mendimin tim premtojnë shumë”.

mergjyshi

Artan Mërgjyshi, trajneri i Korabit

“E dinim që do të ishte delikate për shumë faktorë. Ishim të përgatitur që do të kishim vështirësi, të dy ishin skuadra të reja. Jemi brenda pritshmërisë, patëm një pjesë të parë të vakët, ndryshuam diçka në pjesën e dytë, me çfarë dhamë meritonim edhe ta fitonim sfidën. Kam pritshmëri edhe më të mëdha pasi është normale.

Problemi ynë është se janë tre lojtarë të fazës sulmuese që nuk kanë kondicionin e duhur fizik. Pritshmëritë janë më të mëdha dhe sinjalet pozitive u dhanë. Si ndeshje e parë mund të jetë i pranueshëm edhe barazimi. Ky është kampionati, do të kërkojmë nga çdo ndeshje të marrim pikë.

Puna jonë është gjithmonë nën presion, pritshmëritë janë të mëdha dhe do të mundohemi të shpërblejmë pritshmërinë që kemi. Mora sinjale pozitive. Besoj se do të jemi në rrugën e duhur. Çdo gjë varet nga rezultatet. Shpresoj të kemi fatin me vete, pasi në disa raste mund të kishim tri pikët. Kështu është futbolli.

Plaku nuk kishte bërë asnjë stërvitje me skuadrën, ndërsa Nexhipi nuk është në kondicionin optimal. Kjo nuk funksionoi dhe na mungoi lëvizshmëria, edhe Adelaja nuk kishte lëvizshmëri. Kur u aktivizuan Plaku e Nexhipi, lëvizën më shumë dhe mesfushorët në krahë. Futbolli luhet për një gol, por nuk e arritëm dot sot.

11-metërshi? Janë raste që diskutohen, një rast i tillë ishte edhe në finalen e Botërorit. Kush shkon i pari te topi ka avantazh dhe mendoj këtë ka menduar edhe gjyqtaria”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"