Ndreu beson te kthesa e Kastriotit: Me këtë kontigjent që kemi do të mundohemi që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2021 | 10:51

Ndreu beson te kthesa e Kastriotit: Me këtë kontigjent që kemi do të mundohemi që…

Trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu, beson shumë te kthesa e skuadrës pas dy humbjeve radhazi ndaj Partizanit dhe Vllaznisë. Të dielën në orën 13:45 krutanët luajnë në “Elbasan Arena” kundër Dinamos dhe në bisedën për “Panorama Sport”, kreu i pankinës theksoi ndër të tjera se lojtarët kanë nxjerrë mësime nga disfata e fundit në Shkodër. Ai tregon edhe pse ekipi nuk ka marrë atë që ka kërkuar gjatë fazës së parë, teksa mbyll tabelën e klasifikimit me vetëm 5 pikë.

NDREU

Një fazë e mbyllur me vetëm 5 pikë, çfarë nuk ka shkuar?

E kam thënë që herët, që ndikojnë shumë faktorë te kjo paraqitje jo e mirë. Një ndër to është edhe mosorganizimi, por edhe rivaliteti, pasi janë skuadra të forta. Nëse i referohemi dhe fillimit të kampionatit, 6-7 skuadra kanë qenë pretendentë për kreun e tabelës, kështu që ka qenë e vështirë. Megjithatë, ne kemi zhvilluar ndeshje të mira, por nuk e kemi pasur atë lojtarin për të shtyrë topin në rrjetë. Kështu, shpresojmë që të përmirësohemi duke filluar që nga ndeshja e radhës.

Çfarë mund të ndryshoni në fazën e dytë?

70% të golave i kemi marrë nga pakujdesia dhe kjo vjen ngaqë kemi lojtarë shumë të rinj dhe nuk e vlerësojnë momentin. Futbolli është moment, nëse ti e neglizhon dhe një top shumë të thjeshtë merr golin, ndaj në përgjithësi kemi marrë gola të lehtë, duke ua dhuruar kundërshtarëve. Në ndeshje të veçanta kemi pasur shumë raste, për të marrë tri pikë, por atë cilësinë që duhet para portës nuk e kemi. Duhet të mobilizohemi shumë dhe të jemi të kujdesshëm.

Si vjen skuadra në përballjen me Dinamon?

Në ndeshjen e fundit me Vllazninë lojtarët lëshuan shumë hapësira dhe nuk vlerësuan atë që është gjëja më e rëndësishme, goditjet standarde. Në vitin që kaloi vetëm një gol kemi marrë me goditje standarde, ndërsa sivjet 4 të tillë në 9 ndeshje. Kjo tregon se na mungon shtatlartësia, sepse është krejt e thjeshtë për ta kuptuar. Ua kam bërë të ditur lojtarëve që nëse janë të përqendruar 100% do të arrijnë t’i evitojnë këto gjëra. Tashmë shkojmë në ndeshjen me Dinamon për të dhënë më të mirën dhe kam besim absolut që lojtarët do të jenë të mobilizuar, pasi kanë nxjerrë mësime nga humbja në Shkodër.

Në ndeshjen e fundit pamë shumë ndryshime në formacion, do të ketë sërish?

Ndonjëherë kur skuadra nuk është në formën e duhur, kur çalojnë disa pika, mundohemi të riparojmë këto që kemi. Ndaj Dinamos do të jenë lojtarët që kanë zhvilluar më shumë ndeshje në këtë fazë. Me këtë kontigjent që kemi do të mundohemi t’i angazhojmë maksimalisht.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"